Një grua në Kosovë po ‘mbjell farën’ e asaj që mijëra gra në Iran duan ‘ta zhbijnë'(video)

- in Lajme
Po të ishte nga Irani, ajo nuk do të kishte asnjë shans që të dilte në televizione për të dhënë mendimet e saja. Sepse atje, mendimi i një gruaje nuk vlen. Por ajo jeton në një shtet laik, që ia garanton lirinë e të shprehurit. Këtë liri ajo po e shfrytëzon për të mbjellë farën e një ideologjie që gratë në Iran po duan t’i japin fund. Krejt kjo ka ndodhur në dy javët e fundit.

Tetor 2022, Iran

Është bërë një muaj që kur qindra-mijëra vajza e gra bashkë me djem e burra në vende të ndryshme të Iranit, po protestojnë kundër regjimit brutal të Ali Khamenei, liderit suprem të Republikës Islamike të Iranit që ka ngulfatur jetën e grave atje, liritë dhe të drejtat e njeriut dhe shtypjen e vazhdueshme kundër çdo kujt që kundërshton liderin.

Arsyet pse po protestohet kundër liderit suprem tashmë janë shtuar, por gjithçka ka nisur si reagim ndaj vdekjes së një vajze iraniane që u torturua nga Policia e Moralit, një nga instrumentet më shtypëse ndaj grave. Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, autoritetet në Iran vendosën një kod veshjeje të detyrueshme që kërkon që të gjitha gratë të mbajnë shami dhe veshje të gjera që maskojnë figurat e tyre në publik.

Policia e moralit – e njohur zyrtarisht si “Gasht-e Ershad” (patrulla udhëzuese) – ka për detyrë, ndër të tjera, të sigurojë që gratë të jenë në përputhje me interpretimin e autoriteteve për veshjet “e duhura”. Zyrtarët kanë fuqinë të ndalojnë gratë dhe të vlerësojnë nëse ato shfaqin shumë flokë; pantallonat dhe pardesytë e tyre janë shumë të shkurtra ose të ngushta; ose janë të grimuar shumë. Dënimet për shkeljen e rregullave përfshijnë gjobë, burg ose fshikullim. Por durimi i iranianëve është sosur. Raportimet se këto protesta do ta shënojnë fundin e regjimit të Khamenei po shtohen përkundër forcës së jashtëzakonshme ushtarake që Republika Islamike e Iranit, po përdor kundër protestuesve. Deri më tani janë vrarë më shumë se 200 gra në protesta.

Tetor 2022, Kosovë

Teksa regjimi në Iran nuk po pritet të ketë sukses në shtypjen e grave atje, duke dhënë një shpresë që protestat do të rrëzojnë edhe rregullat fetare që kanë shkelur çdo të drejtë të njeriut, në Kosovën e cila ka ligjet që garanton lirinë e secilit, në publik kanë dalë gra që po tentojnë ta mbjellin atë që në Iran po ia ‘zhbijnë farën’. Një nga këto gra që së fundmi është duke u përfolur shumë është Ikballe Berisha-Huduti , e cila u bë fillimisht e njohur në vitin 2020 kur shteti iu vu pas, pasi ajo përkrahte publikisht regjimin atje. Por pas dy vitesh që ishte harruar, ajo u kthye në qendër të vëmendjes pikërisht në kohën kur në Iran po bëhen protesta kundër asaj çfarë përfaqëson Republika Islamike.

Por ajo nuk u kthye duke u marrë me protestat në Iran, e as duke komentuar të regjimit atje.

Ajo u bë papritmas yll medial dhe në rrjete sociale duke folur për një detaj të asaj çfarë Republika Islamike e Iranit ka si rregulla. Foli për një element që në Kosovë, jashtë konturave fetare, shihet si përmbushje e shprehjes seksiste “burri për 7 gra”. Ajo doli duke folur lirshëm sesi i ka gjetur bashkëshortit të saj, gra të tjera, duke e normalizuar idenë se “burrit i takojnë më shumë të drejta” dhe se “gruaja duhet të pajtohet” me ato. Duke parë një reagim masiv ndaj kësaj deklarate, Ikballe Berisha-Huduti nuk e humbi asnjë sekondë që të dalë në sa më shumë media që është e mundur për të sqaruar sa më shumë idenë e saj.

Por çka përfaqëson ideja e Ikballe Berisha-Hudutit?

Për të kuptuar më qartë se cila është ideja e llafit të Ikballe Berisha-Huduti t duhet ta lexoni këtë tekst ku sqarohet gjithçka. Shkurt e shqip ajo arsyeton edhe vrasjen e grave të cilat heqin shaminë.

Ajo arsyeton me zell dhe në mënyrat më të çuditshme dhe absurde “idenë se gruaja duhet të mbulohet përndryshe është një kurvë”.

“Unë si grua myslimane që e besoj Kuranin dhe e pasoj Ehli Bejtin, unë brengosem për çështjet e moralit në shoqëri”, thotë Berisha- Berisha-Huduti .

Kur Ikballe Berisha-Huditi, e përmend “Ehli Bejtin”, nënkupton orientimin e degës së saj të Islamit që Igballi e beson, shiizmin – në të cilën bazohet zyrtarisht juridiksioni i Republikës Islamike të Iranit.

Ideja e Berisha-Huditi është që ajo duke gëzuar të drejtat që i takojnë në shtetin laik të Kosovës, të fillojë të mbjellë edhe një herë ndonjë farë të “Republikës Islame të Iranit” në Kosovë, duke folur për një temë që tingëllon tërheqëse për një shumicë burrash që ëndërrojnë ti kenë shumë gra të cilat pajtohen të jenë të martuara për një burrë. Një temë që përpos këtyre burrave, tingëllon shokuese për djemt e vajzat e reja, të cilat pa u marrë me anën fetare e shohin si diçka interesante për t’u diskutuar. Një temë shumë tërheqëse për një pakicë që nuk beson në monogami, ose martesë me vetëm një person. Por kjo nuk mjafton. Kështu që Ikballe Berisha-Huduti ka një kartë tjetër.

Shfrytëzimi i tragjedisë së djalit

Kur tema e “grave të dyta e treta” që ajo ia kishte gjetur bashkëshortit të saj, një agjent shitjesh të patundshmërive që bënë video në TikTok, filloi të zhdukej, Ikballe Berisha-Huduti , del me një tjetër kartë. Ajo në emisionet e fundit, përpos “martesave të përkoshme” po flet edhe për djalin e saj, që ka vdekur para një viti, pikërisht në tetor të vitit 2021. Meddy Huduti një fotograf i njohur në Prishtinë dhe qytete të tjera për shkak të punë së tij me dhjetra festivale të filmit e muzikës, tashmë po përdoret nga nëna e saj, e cila nuk ngurron të ngjallë emocione dhe empati, për shkak të dhimbjes që shprehë.

Ajo së fundmi në një intervistë në emisionin e mëngjesit në T7 tha se “djali i saj ka hyrë në depresion dhe nuk ka dalë më deri në vdekje prej momentit kur ajo është arrestuar”. Këtë ajo thotë se do ta përdorë në padinë që ia ka bërë shtetit të Kosovës, duke i kërkuar 2 milion euro. Dëgjojeni intervistën e saj dhe e kuptoni për çka po flas.

Karta e radhës – Ikballja nuk është e vetëm

Nëse karta e parë e saj ishte oferta tërheqëse për burrat patriarkal në Kosovë, dhe karta e dytë doli të jetë “tragjedia e djalit të saj”, karta e tretë nuk do të dalë nga ajo. Ikballe Berisha-Huduti tashmë nuk është e vetme si përkrahëse e regjimit në Iran. Në televizionet e Shqipërisë, një grua tjetër ka dalë në përkrahje të regjimit në Republikën Islamike të Iranit. Ja një intervistë ku mund të kuptoni më shumë për atë që po shkruaj.

Teksa kartat e reja të Ikballe Berisha-Huduti t mund të mos dalin njëherë, ajo që është e sigurt, që “fara që po mbjellë ajo kanë filluar të japin fryte”. Nëse frytet e saja vazhdojnë të rriten, atëherë regjimi i Iranit mund ta ketë një adresë të re: Republika Islamike e Kosovës./Nacionale