Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh, ka njoftuar se dje një person është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Gjilanit, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e tij.
Drejtori i këtij spitali, Arsim Emini në një prononcim për Gazetën Express ka thënë se viktima është fëmijë i moshës 2 vjeçare. Ai bëri të ditur se inicialet e fëmijës janë D.A. dhe është nga fshati Llabjan.
Ai tha se familjarët nuk kanë ofruar të dhëna për sëmundje të mëhershme dhe gjatë ekzaminimit nuk janë gjetur në trup shenja të traumës.
“Në lidhje me rastin e djeshëm të një fëmijë dyvjeçar me iniciale D.A nga Llabjani është raportuar sot në takim të mëngjesit. Sipas mjekut kujdestar të emergjencës, fëmija është sjellur me autoambulancë pa shenja jete. Familjarët nuk kanë ofruar të dhëna për sëmundje të mëhershme të fëmijës. Në ekzaminim nuk janë gjetur shenja të traumës. Është lajmëruar policia dhe me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion në IML në Prishtinë”.
Për rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore në Gjilan.
Zëdhënësja Liridona Xheladini tha se trupi i pajetë i 2 vjeçarit është dërguar në IML në mënyrë që të përcaktohen rrethanat e vdekjes.
“Ju njoftojmë se për këtë rast me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në mënyrë që të përcaktohen rrethanat e vdekjes”, tha ajo.
Në raport rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen” dhe thuhet se rasti po hetohet.
“HETIM MBI VDEKJEN – Novobërdë 03.03.2024, 15:00. Është raportuar se në spitalin rajonal është dërguar pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën hetime.”/Demokracia