Është gjendur trupi i pajetë i fëmijës së dytë pas ngjarjes tragjike në Shkodër, ku një nënë dyshohet se është hedhur në lumin Bunë bashkë me fëmijët e saj.
Më herët, u raportua se u gjet edhe trupi i vajzës 9-vjeçare.
Për ngjarjen ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Balla shprehet se dhuna ndaj grave nuk është çështje private, por na intereson të gjithëve.
Ai thotë se asnjë lloj dhune nuk është e tolerueshme, teksa shprehet se peshkatarët po vijojnë kërkimet për trupin e nënës dhe dy fëmijëve.
Njësia e specializuar e RENEA, Forca Kombëtare e Sigurisë Publike, njësi të Policisë së Malit të Zi dhe peshkatarët e zonës janë duke vijuar kërkimin e përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Buna, ku dyshohet të jetë vetëmbytur një nënë dhe fëmijët e saj. Siç kemi bërë edhe dje me dije, Policia e Shtetit ka ndaluar bashkëshortin dhe ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik.
“Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune. Dhuna shpesh manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura, por kjo është një temë që duhet bërë publike. Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Ajo na intereson të gjithëve. Dhe ne, e gjithë shoqëria, duhet t’i nxisim viktimat e dhunës ta denoncojnë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund”, ka theksuar Balla.
Hetime të thelluara të Policisë kanë nxjerrë në pah detaje tronditëse nga ngjarja tragjike në Shkodër.
Siç ka raportuar më parë Albanian Post, nëna dhe tre fëmijët e saj janë raportuar si të zhdukur tre ditë më parë, teksa më 4 prill, një peshkatar ka gjetur trupin e një fëmije të mitur, me shenja dhune në fytyrë.
Kallëzimin për zhdukjen e kishte bërë babai i familjes, 31-vjeçari Ergys Arrazi. Mirëpo, dyshime të forta se pikërisht dhuna e tij ka shtyrë katër anëtarët e familjes në vetëvrasje, e kanë çuar në pranga atë.
Kështu ka njoftuar vetë Policia e Shtetit.
Sipas njoftimit, menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.
Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.
Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Grupi hetimor ka vijuar hetimet dhe shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për gjetjen e 39-vjeçares dhe 3 fëmijëve.
Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj.
Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon ndërkaq intensivisht punën për gjetjen e tre shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti./Demokracia