Nga shpallja e pavarësisë deri sot, ‘rrugëtimi’ i NEWBORN-it në 16 vjet shtet

- in Lajme

Dy protagonistët kryesorë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ish-kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu, i vunë nënshkrimet e tyre në obeliskun që ishte krijuar për nder të shpalljes së mëvetësisë më 17 shkurt 2008, shkruan Demokracia.com.

Nënshkrimet e tyre u vunë në një ceremoni solemne e pas tyre edhe mijëra qytetarë shkruan emrat e tyre në germat që po simbolizonin lindjen e shtetit të ri në Evropë.

Obelisku “NEWBORN”, u bë senzacion jo vetëm për kosovarët, por edhe për shumë turistë që po vinin në Prishtinë.

Obelisku “NEWBORN”, për çdo vit ngjyroset, duke iu ndryshuar pamja varësisht nga mesazhi që autori i saj dëshiron të përçojë.

Këtë 16-vjetor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, “NEWBORN”-i ka vazhduar me traditën e ngjyrosjes si monument i kryeqytetit. “NewBorn” për këtë vit do të përçojë ndodhinë kryesore të vitit 2024, liberalizimin e vizave, përcjell Demokracia.com.

Në shkronjat e monumentit janë të vizatuara simbole të shteteve në të cilat mund të udhëtohet pa viza, teksa qytetarëve u sugjerohet t’i vizitojnë këto vende.

Demokracia.com sjell fotografitë dhe historinë e obeliskut NEWBORN:

“NEWBORN” u zbulua në ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Atë ditë, mbi 150 mijë persona u nënshkruan në këtë monument.

Deri në vitin 2013, obelisku kishte të njëjtën ngjyrë dhe nuk u ndryshua.

Më 2013, autori i “NEWBORN-it” vendosi ta ndryshonte ngjyrën e tij dhe ta përçonte mesazhin “Mirënjohja”.

Ideja për këtë mesazh, sipas autorit, ishte si shenjë mirënjohje për shtetet që e kanë njohur Kosovën dhe germat “NEWBORN” u ngjyrosën me flamujt e shteteve që e kishin njohur Kosovën.

Në vitin 2014, obeliskut sërish iu ndërrua pamja, duke përçuar mesazhin e kujtimit për të rënët për liri.

Ndërsa, në përvjetorin e gjashtë të pavarësisë, ngjyrat e “NEWBORN”-it ishin të uniformave të ushtarëve të vendeve që e kishin ndihmuar Kosovën në luftën për çlirimin nga pushtuesit serbë.

Në vitin 2015, autori i obeliskut kishte vendosur që “NEWBORN” ta kishte moton “Shprehu shlirë, ndjehu mirë”, ku qytetarët e Kosovës kishin të drejtë të pikturonin çkado që ata dëshironin.

Ismaili kishte menduar që shkronjën “E”, ta pikturonte me ngjyrë të zezë, që simbolizonte edhe emigrimin masiv të qytetarëve po në atë vit.

Në vitin 2016, “NEWBORN” u emërua me emrin “Izolim”, ku kishte për qëllim të përçojë mesazhin e izolimit.

Shkronjat kishin marrë ngjyrë të kaltër si qielli dhe ishte mbuluar me gjemba. Telat me gjemba kishin thirrjen për botën për të gjetur zgjidhjen dhe për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian (BE).

\

Një vit më vonë në vitin 2017, mesazhi i ideatorit të monumentit “NEWBORN” ishte “T’i rrëzojmë muret”.

Në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, “NEWBORN” u emërua me emrin “Dekada”.

Në vitin 2019, monumenti “NEWBORN” i kushtohet “Mbrojtjes së tokës”.

Në vitin 2020, monumenti “NEWBORN” u emërua si “Luftërat e pafundme”.

Pas 20 vite luftë, “NEWBORN” iu kishte dedikuar të gjitha viktimave të dhunës seksuale, jo vetëm në Kosovë, por anembanë botës.

Ndërsa, në vitin 2021, obelisku iu kushtua luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në përvjetorin e 14-të, “NEWBORN” u kushtohej grave dhe moton “Gratë për gratë”.

Ndërsa, në përvjetorin e 15 të pavarësisë, mesazhi iu kushtua fundit të luftës në Ukrainë.

“NEWBORN” simbolizon lindjen e shtetit të Kosovës dhe është punuar brenda 11 ditëve nga konstruksioni i çelikut i veshur me hekur.

Është vendosur përballë Pallatit të Rinisë në shkurt të vitit 2008 dhe që nga atëherë nuk i është ndryshuar vendi./Demokracia.com/