Nga kriminel lufte në njeri të respektueshëm: Një vit nga rehabilitimi që Kurti ia bëri Ivanoviqit

- in Lajme

Sot është bërë një vit kur kryeministri Albin Kurti kishte rehabilituar politikanin serb Oliver Ivanoviq, i cili në vitin 2016 ishte dënuar për krimet lufte ndaj shqiptarëve.

Fjalët e mira të kryeministrit Kurti në pesë vjetorin e vrasjes së politikanit serb kishin tronditur Kosovën.

Kjo për faktin se më herë Kurti dhe VV-ja Oliver Ivanoviiqn e kishin konsideruar si kriminel lufte.

Vlerësimet e Kurtit se Ivanoviqi ishte njeri i përkushtuar për komunitetin kishin habitur opozitën kosovare.

Për këto vlerësimi Kurti ishte kritikuar ashpër nga të gjitha partitë opozitare.

Rehabilitimin që Kurti ia bëri Ivanoviqit ia kanë rikujtuar përsëri opozita.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thënë se fjalët e mira që Kurti kishte shprehur ndaj politikanit serb kishte tronditur Kosovën.

Në 1-vjetorin e rehabilitimit që Kurti ia bëri Ivanoviqit. Kryeministri Albin Kurti e rehabilitoi vjet, më 16 janar 2023, në pesëvjetorin e vrasjes së tij, Oliver Ivanoviqin, serbin e Kosovës të cilin më heret e kishte quajtur kriminel. Në të vërtetë Oliver Ivanoviqi qe dënuar më 2016 me 9 vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve. Partitë opozitare, segmente të gjera të shoqërisë së Kosovës, qenë tronditur nga mesazhi i Kurtit që i thurte lavde Ivanoviqit, por jo VV-ja dhe përkrahësit e saj”, ka shkruar Hamiti në profilin e tij në “Facebook”.

Çka kishte thënë Kurti për Ivanoviqin?

Vitin e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte kujtuar politikanin serb, Oliver Ivanoviq, i cili ishte vrarë pesë vite më herët në rrethana të pasqaruar ende.

Në një video mesazh të publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës, Kurti kishte thënë se Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit e qytetit të tij.

Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij. Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike.”, ka thënë Kurti.

Tutje, kryeministri kishte thënë se i vjen keq që fajtorët për këtë krim, nuk janë dënuar ende.

Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës. Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij.” – ka thënë ai.

Në fund, Kurti shtoi se vrasja e Ivanoviq, ka ndikuar në të gjithë shoqërinë.

Vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë. Ky krim vrau jo vetëm Oliver Ivanoviqin, por edhe pluralizmin politik te serbët. Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen. Në këtë mënyrë të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit.“, ishte shprehur Kurti.

Cilësimet e VV-së për Ivanoviqin

Megjithatë, mendimet tjera për Ivanoviqin kishte Kurti dhe VV-ja kur ishin në opozitë. Në janar të vitit 2016, kur lideri i Nismës Serbia, Drejtësia, Demokracia, Oliver Ivanoviq, i akuzuar për krime lufte në vitin 1999 si dhe vrasje të rëndë në vitin 2000, ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me nëntë vjet burg, Lëvizja Vetëvendosje këtë dënim e kishte quajtur “poshtërim për drejtësinë”.

Në një komunikatë për media, VV-ja kërkonte dënim më të rëndë.

Olivier Ivanoviq dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë dhe pas përfudimit zyrtar të luftës në Kosovë janë angazhuar për realizimin e planit hegjemon të shtetit të Serbisë – kolonizimi i Kosovës dhe spastrimi i tij.”- shkruhej në komunikatën e VV-së të lëshuar më 23 janar 2016.

Sipas VV-së së asaj kohe, Ivanoviq nuk dallonte asgjë nga doktrina e ish-politikanit konservator serb të shekullit 19, Ilia Grashanin.

Vetëvendosje konsideronte se dënimi ndaj Ivanviqit shpërfaqte padrejtësinë ndërkombëtare duke e bërë fajtor EULEX-in.

Të shqiptosh dënim me burgim prej një kohëzgjatje prej nëntë viteve për krime të tilla, është tregues më i mirë se sa është i gatshëm EULEX-i me kompetent të tij ta mbrojë drejtësinë që ka karakter ndërkombëtar.”, thuhej ndër tjerash në komunikatën e Vetëvendosjes./Demokracia