Neni shtatë i propozimit franko-gjerman sipas draftit që ka dalur në publikkërkon “të sigurohet një nivel i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë”, por kjo nuk duhet të lejohet që të ndodhë assesi, ka thënë deputetja e Britanisë së Madhe dhe Shefja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Alicia Kearns.
“Askush nuk duhet ta kërkojë, aq më pak ta dizajnojë qëllimshëm, çfarëdo forme të ‘vetëqeverisjes’ në vija etnike në Ballkan”, shkroi ajo në llogarinë e saj në Twitter duke shpërndarë edhe dokumentin që ka rrjedhur në publik.
Për Kearns ky nen kujton Republikën “Srpska” në Bosnje dhe Hercegovinë dhe është treguar që është model që nuk funksionon.
“Asnjë mekanizëm i stilit të Republikës ‘Srpska’ nuk duhet të krijohet”, përfundon cicërima e saj në Twitter.
Gjithsesi, neni 7, por edhe nenet të tjera që kanë rrjedhur në publik nuk është se janë konfirmuar krejtësisht as nga palët e as nga ndërmjetësuesi.
Miroslav Lajçak, si ndërmjetësuesi kryesor nga Bashkimi Evropian mes Kosovës e Serbisë, në intervistën e tij të fundit, i pyetur se a është propozimi që kanë sjellur në Prishtinë dhe Beograd i njëjtë me atë që është publikuar tashmë, tha se është “i përafërt, por jo tërësisht” dhe gjithashtu shtoi se “dokumenti origjinal ka 11 nene”.
Vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka treguar detaje për dokumentin, përveçse ka thënë se është një dokument që ofron një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme.
Sa i përket frikës që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe mund të çojë në “boznjezimin” e Kosovës dhe krijimin e mos-funksionaliteteve të ngjashme si në Bosnje, i dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Gabriel Escobar dhe këshilltari i Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet, në intervista të ndara kanë deklaruar se ata nuk lejojnë diçka të ngjashme dhe se Asociacioni do të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës./Albanian Post