Në prag të votimit të kryeministrit shqiptar në Maqedoni, Kurti i “ndërsen” këshilltarët e tij kundër Ali Ahmetit

- in Lajme

Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, është vënë në shënjestër të disa eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Hysamedin Feraj dhe Bekim Qoku e kanë kritikuar ashpër Ahmetin, duke ia përmendur edhe pleqërinë e duke e quajtur gjysh. Ndërsa, Elvis Hoxha, anëtar i kryesisë së LVV-së, e paralajmëroi humbjen e partisë së Ahmetit.

Në fakt, i pari që nisi me komente kundër Ahmetit ishte Qoku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Mbrëmë pak para mesnatës, Qoku ia përmendi moshën Ahmetit, duke e quajtur gjysh, përkrahësit e të cilit i kritikoi.

Për Ali Ahmetin ata të partisë së tij dhe të tjerë rreth tij thonë që ai është BABA i kombit. Por Aliu para do ditësh mbushi 65 vjeç andaj i bie të jetë GJYSHI i kombit. Kurse ne themi që ai është BABA-GJYSHI.

Se kush beson ende ke babagjyshi, kjo i mbetet botës së fantazisë të gjithsecilit.” – shkroi a.

Përmes këtij shkrimi, Qoku në mënyrë të pavetëdijshme ia njohu meritat Ahmetit, duke e pranuar argumentimin e pëkrahësve të tij për “babëllëkun” e Ahmetit për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Duke tentuar të ironizojë me moshën e Ahmetit, Qoku nuk e kundërshtoi logjikën e argumentimit për të arriturat e liderit të BDI-së, për shkak të sëcilave Ahmeti shpesh quhet “baba” nga përkrahësit e tij.

Në një status tjetër, Qoku e akuzoi Ahmetit se e ka barazuar “qëndrimin armiqësor antishqiptar serb me atë të Kosovës”.

Në të njëjtën linjë të argumentimit ishte edhe Hysamedin Feraj, këshilltar i kryeministrit Kurti, i cili po sikurse Qoku, ia përmendi pleqërinë Ahmetit, i cili i mbushi 65-vjeç pak ditë më parë. Feraj e bëri edhe një pyetje retorike, duke pyetur nëse Ahmeti është duke e shpikur një komb të ri në Maqedoninë e Veriut si kundërshtar të kombit shqiptar.

“A po shpik Ali Ahmeti në MV një komb alternativ ndaj ndaj kombit shqiptar në MV, siç e shpikën “kombin kosovar”?

Me sa duket, në fakt dhe në mendjen “e vet” e ka bërë tashmë, veç emrin nuk ia ka gjetur.

Kjo është risia e mendimit ahmedist, tani, në pleqëri.” – shkroi ai, ndër të tjera.

Elvis Hoxha, anëtar i Kryesisë së VV-së, nuk u mor në mënyrë direkte me Ahmetin, por me partinë dhe bashkëpunëtorin e Ahmetit, Artan Grubin. Hoxha, që llogaritet si një nga njerëzit e afërt të Kurtit, erdhi me një hipotezë, duke e paralajmëruar humbjen e BDI-së.

“Artan Grubi dhe Shqipërim Arifi para dështimit përdorin dy teza:

1. Lëvizja Vetëvendosje po përçan bashkim-vëllazërimin.

2. Kosova po ndërhyn në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Me këto dy teza dështimi i BDI-së dhe satelitëve të saj është i sigurtë. Në prag të humbjes, eksponentët e BDI-së do të thonë edhe absurditete të tjera. Prisni! Do të shihni. Mos u habitni.” – shkroi ai.

Por çfarë tha Ali Ahmeti?

Në një intervistë në Shqipëri, Ahmeti e akuzoi Kurtin për ndërhyrje në politikën e brendshme të Maqedonisë së Veriut.

“S’është puna për fushatë për Albin Kurtin. Edi Rama nuk ka ndërhyrë asnjëherë në punët e brendshme të organizimit politik në Maqedoni. Përherë ka bërë përpjekje për t’i ofruar partitë politike në Maqedoninë dhe sigurisht unë jam falenderues, mirënjohës për këtë qasje që ai ka pasur.” – deklaroi ai, transmeton Nacionale.

Ndërsa moderatorja Grida Duma e pyet nëse ka pasur momente kur kryeministri kosovar ka ndërhyrë në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut.

“Natyrisht që ka pasur, p.sh. kur ka ndodhur rasti për zgjedhjet presidenciale, zoti Kurti mbajti anë. Doli në përkrahje të një pjese të partive politike në Maqedoni, edhe pse kjo ishte një marrëveshje për zgjedhjet presidenciale, në mbështetje të një presidenti konsensual, që ishte zoti Pendarovski në atëkohë, para pesë vitesh dhe ne nuk e kemi bërë në mënyrë niave dhe as nuk kemi shprehur patriotizëm emocional apo folklorik, por jemi dakorduar me zotin Pendarovski për detyrimet që do t’i ketë” – deklaroi ai.

Tutje, Ahmeti është ankuar se Kurti e ka vendosur në pozitë goxha të vështirë, teksa e ka shtruar edhe një pyetje, që më shumë dukej pyetje retorike.

“Unë nuk e di që ka regjistruar parti, e di që shumë nga komuniteti ndërkombëtar kanë shprehur interesim për çfarë arsye z. Kurti ka nevojë të mbajë parti politike në Maqedoni, por kamë thënë se tani kjo është demokracia. Më kanë vendos në një situatë goxha të vështirë, por mirë atëherë pse z.Kurti ankohet kur Vuçiq bën aktivitete politike në Kosovë. Si na shpjegoni ju ne këtë punë? Më kanë lënë gati edhe pa tekst me shumë pyetje”, tha Ahmeti në Top Channel./Demokracia