Në kohën kur udhëhiqte Haradinaj, Nagavci e VV u jepnin mbështetje të plotë grevistëve

- in Lajme

Ka disa muaj që punëtorët e sektorit publik, e veçmas mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme, përpiqen të arrijnë një marrëveshje me qeverinë për pagat dhe kushte të tjera të punës që janë renditur si kërkesa para ministres së Arsimit dhe kryeministrit.

Sot, kur nisi greva e përgjithshme e punëtorëve të sektorit publik, Ministria e Financave bëri një veprim që nuk është dëshmuar asnjëherë më parë në historinë e shtetit të ri të Kosovës, duke kërkuar listën e punëtorëve që hyjnë në grevë, në mënyrë që t’u pezullohen pagat.

Nga ekspertët, kjo u pa si cenim i rëndë i të drejtave të punëtorëve.

Megjithatë, Vetëvendosje që mbahet si e majtë dhe që sot ka hapur një betejë të hapur me sindikatat dhe punëtorët e sektorit publik, nuk e kishte gjithmonë këtë qasje e as këtë qëndrim ndaj punëtorëve. Sa ishte në opozitë, VV kishte pëkrahur grevat e tyre dhe grevën mësimdhënësve në vitin 2019.

Ministrja aktuale e Arsimit, Arbërie Nagavci bashkë me zyrtarin tjetër të partisë, Ismajl Kurteshi kishin thirrur një konferencë për media, ku do të mbështesnin grevat e mësimdhënësve dhe do ta kritikonin e fajësonin Qeverinë e Ramush Haradinajt për keqmenaxhim.

“Greva që nuk e deshën as vetë mësimdhënësit erdhi si rezultat i keqqeverisjes”, thuhej në krye të komunikatës së VV-së.

Nagavci, në fjalën e saj kritikonte Qeverinë Haradinaj dhe Minsitrinë e Arsimit për vonesa në miratimin e Ligjit për Paga, një ligj që nuk është miratuar as tani në vitin 2022, më shumë se një vit e gjysmë pas votimit të Qeverisë Kurti.

“Duhet përmendur fakti se një nga shkaktarët kryesorë për fillimin e kësaj greve, është Projektligji për Pagat. Një nga problemet kryesore në sektorin publik në Kosovë, është kaosi me paga”, thoshte Nagavci.

Përkundër një zotimi të hershëm të Qeverisë se Ligji i Pagave do të shkonte në Kuvend që në mars të këtij viti, dërgimi i tij për aprovim në Kuvend është shtyrë vazhdimisht, ndërkohë që gjendja e mësimdhënësve është përkeqësuar, si rezultat i rritjes së çmimeve dhe inflacionit.

Tani kur mësimdhënësve u është harxhuar tërësisht durimi nga zhagitjet e pafundme të qeverisë, ata kanë vendosur që të hyjnë në grevë, duke sinjalizuar shtyrjen e vitit të ri shkollor 2022-23, që parashihet të nis më 1 shtator.

Mësimdhënësit, sikurse të gjithë punëtorët e sektorit publik, kërkojnë nga Qeveria shtesë prej 100 eurosh mbi pagat e tyre deri në miratimin e Ligjit për Paga, për të përballuar rritjen rapide të çmimeve, si pasojë e disa krizave ekonomike dhe shëndetësore të muajve e viteve të fundit. /GazetaExpress