Në datën 7 tetor 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi heqjen e masës së sigurisë për mallrat e importuara nga Serbia në pikën kufitare të Merdarës, duke hapur rrugën për rikthimin e produktit serb në tregun kosovar, pas një ndaljeje disa mujore, shkruan Demokracia.com.
Kyo veprim është vlerësuar si një hap pozitiv për normalizimin e tregtisë ndërmjet dy vendeve, megjithatë, ka sjellë një rënie të dukshme në importet e mallrave nga Shqipëria ditë pas dite.
Statistikat e fundit të importeve nga vendet anëtare të CEFTA-s, të publikuara nga Dogana e Kosovës dhe përpunuar nga Demokracia.com në janar 2025, tregojnë se Serbia ka shënuar një rritje të ndjeshme të eksporteve drejt Kosovës, duke e lënë Shqipërinë pas. Importi nga Serbia vetëm në janar të këtij viti ka arritur në 10,340,587.21 euro, ndërsa me Shqipërinë ka qenë vetëm 7,129,925.62 euro.
Kjo krahasohet me vitin e kaluar, ku importi nga Shqipëria ishte 15,357,869.08 euro dhe nga Serbia 5,699,900.22 euro.
Ky trend tregon se, pavarësisht retorikës politike, vendimet ekonomike të Qeverisë po e zhvendosin ekuilibrin tregtar në favor të Serbisë, ndërsa Shqipëria mbetet humbësja më e madhe e kësaj lëvizjeje. Në të njëjtën kohë, prodhimet vendore përballen me një konkurrencë edhe më të ashpër, duke rrezikuar pozitën e tyre në tregun kosovar. /Demokracia.com/