Me rastin e shënimit të 22 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Tokës Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së bashku me ministrinë e Arsimit dhe atë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë organizuar një varg aktivitetesh.
Njëra nga ta ishte mbjellja e fidanëve në oborrin e shkollës fillore “Hasan Prishtina”, në kryeqytet, ku edhe u ekspozuan disa vizatime të nxënësve të kësaj shkolle që synim kishin rritjen e vetëdijes për mbrojtjen e ambientit.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci kërkoi që sa më shumë të organizohen aktivitete për ruajtjen e mjedisit që ndikon pastaj edhe në ruajtje të shëndetit.
Sipas saj, pandemia ka treguar se sa është e rëndësishme të kujdesemi për higjienën dhe mjedisin.
Nagavci: Inkurajoj të organizohen më shumë këso aktivitet për ruajtjen e mjedisit
“Jam shumë e vetëdijshme për rolin dhe rëndësinë e mësimdhënësve andaj iu inkurajoj të gjithëve që të vazhdoni me aktivitete që i bëni në përvojën time kam pasur rast që shoh në shkolla të ndryshme komuna të ndryshme punën e mësimdhënësve dhe fëmijëve përmes aktivitete me klube të gjelbra e ekspozitave dhe vizatimeve si këto ku arrihet edhe vetëdijesimi për rëndësinë e ruajtjes së planit. Iu inkurajoj që të vazhdoni angazhimin në këtë drejtim duke shfrytëzuar sa më shumë mundësinë që e kemi të punoni në vetëdijesim dhe qëndrueshmëri të aktiviteteve për ruajtjen e tokës dhe mjedisit dhe në fund të kësaj për shëndetin e secilit prej nesh. Viti që shkoi situate me pandeminë na ktheu edhe njëherë në vëmendje se sa shumë është e rëndësishme që të kujdesemi për higjienën për shëndetin dhe mjedisin dhe njëri tjetrin”, theksoi ajo.
Ndërsa, shefja e kabinetit të ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Rineta Jashari u shpreh se për tokën duhet të jemi të kujdesshëm çdo ditë e jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të saj.
Jashari: Për tokën duhet të kujdesemi çdo ditë
“Unë kam vetëm një mesazh sot për këtë ditë, që Dita e Tokës është çdo ditë ne duhet të kujdesemi për tokën çdo ditë jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Kosovës, andaj duhet të veprojmë tani ta ripërtërijmë tokën tonë“, tha ajo.
E drejtoresha e shkollës fillore “Hasan Prishtina”, Sofie Bunjaku tha se shënimi i kësaj dite simbolizon ngritjen e vetëdijes për mos shkatërrim të tokës.
Bunjaku: Shënimi i kësaj dite mundësi për të menduarit për shkatërrimin e mjedisit
“Shënimi i kësaj ngjarje është një mundësi që njerëzit anë e këndë botës të mendojnë rreth efekteve negative dhe shkatërrimit të mjedisit si në nivel lokal ashtu edhe global. Ekzistojnë shumë çështje që kanë nevojë për ndërhyrje urgjente shfrytëzimi racional i resurseve natyrore ndotja e mjedisit, ndryshimet, menaxhimi i tokës faktorët që po ndikojnë në kërcënimin e planetit tokë humbjen e biodiversitetit dhe vetë ekzistencën e njerëzimit. Ndërkaq, në nivelin lokal problemet mjedisore janë më të shumta dhe drejtpërdrejt prekin kualitetin e jetesës së njeriut”, u shpreh ajo.
Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës sot me qëllim të ngritjes së vetëdijes për mbrojtje të mjedisit nëpër komunat e Kosovës janë organizuara aktivitete të shumta./B.Ibishi/ KP