Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, pritet të ekstradohet në Itali. I njëjti ndodhet në burg në Bullgari që nga 23 shkurti. Nga Ministria e Punëve të Jashtme i kanë thënë Gazetës Express se nuk janë njoftuar nga autoritetet bullgare për natyrën e veprës, por se vetëm është ndaluar pasi ka qenë në kërkim nga Interpoli, përkatësisht Italia. Sipas raportimeve në media, urdhër arresti ndaj tij është lëshuar nën dyshimet për trafikim me qenie njerëzore.
Autoritet bullgare kanë filluar procedurat për ta ekstraduar në Itali Kryeshefin e KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqin. Ai u ndalua nga autoritetet me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut, pasi rezultoi se ishte në kërkim nga Interpoli.
Nisjen e procedurës ligjore për ekstradim e ka konfirmuar për Gazetën Express Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Nga ky institucion kanë deklaruar se sipas informatave të fundit zyrtare që kanë, ai ndodhet në burg në Bullgari që nga 23 shkurti.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është njoftuar nga autoritetet bullgare se ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës, (H.K.) po zhvillohet procedura ligjore për ekstradim në bazë të fletë-arrestit evropian. Nga informatat e fundit zyrtare që posedojmë shtetasi i sipërpërmendur ndodhet në burg në shtetin e Bullgarisë që nga data 23 shkurt, 2024”, ka deklaruar MPJ.
Por, Ministria ende nuk e di se për çfarë vepre është arrestuar Krasniqi. Një informatë të tillë thotë se nuk e ka marrë nga autoritetet bullgare.
“MPJD nuk është njoftuar nga autoritetet bullgare, për natyrën e veprës, por vetëm se i njëjti u ndalua pasi ishte në kërkim nga Interpol – Italia. Nga informatat që posedojmë Gjykata bullgare nuk merret me veprën, por vetëm me procedurën për ekstradim”, thuhet në përgjigjet e MPJD’së.
Sipas raportimeve në media, Krasniqi është arrestuar në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.
Dyshimet janë se Krasniqi, që ka në pronësi edhe një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, përmes saj ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara. Rrjedhimisht, sipas autoriteteve italiane, 57 vjeçari nga Gjakova është i implikuar në tre vepra të ndryshme penale.
Gjithnjë sipas raportimeve, Italia urdhër-arrestin ndaj Krasniqit e kishte lëshuar me 16 janar 2024.
Krasniqi në burg, nga KRU “Gjakova” thanë se po e shfrytëzon pushimin vjetor
Hasan Krasniqi ishte ndaluar në Bullgari më 19 shkurt, e mediat filluan të raportonin për këtë rast më 1 mars.
Gazeta Express kishte kontaktuar atë ditë me zëdhënësen e KRU “Gjakova”, Dafina Syla-Dina, për ta pyetur se ku ndodhej Krasniqi, pas informacioneve se i njëjti nuk kishte dalë në vendin e punës për disa ditë dhe se askush nuk e dinte se ku ndodhej.
Ajo kishte thënë se i njëjti është në pushim vjetor.
“Kryeshefi është t’u e shfrytëzu pushimin vjetor. Nuk kam informacion më shumë për këtë çështje. Është duke u shfrytëzu pushimin vjetor, nuk ka pse me u lajmëru. Nuk kam informacion zyrtar. Ka nja 5-6 ditë (që ka dalë në pushim)”, kishte thënë Syla-Dina për Express.
Ministria e Punëve të Jashtme kishte konfirmuar atë pasdite arrestimin e tij.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës konfirmon se në mbështetje të informatave zyrtare të pranuara nga Ministria e Jashtme e Republikës së Bullgarisë, shtetasi i Republikës së Kosovës (H.K) është ndaluar më datën 19 shkurt, 2024 në Pikën e kalimit të kontrollit kufitar “Gyushevo””, kishte thënë MPJ.
Nga Bordi i Ndërmarrjes nuk janë deklaruar ende për këtë rast. Express ka dërguar pyetje në adresë të Kryesuesit të Bordit të Drejtorëve, Urim Gashit, nëse është marrë ndonjë masë ndaj Krasniqit dhe nëse do ta shkarkojnë të njjëjtin, por s’ka pranuar përgjigje, deri në momentin e publikimit të tekstit.
Drejtori problematik, aktakuzë pasi u përfshi në sulm fizik me fqiun e tij
Prokuroria Themelore e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë kundër Hasan Krasniqit, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, vitin e kaluar, ndërsa ndaj fqiut të tij Besnik Sharani për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”. Çuditërisht, viktima, Besnik Sharani, ishte burgosur pasi që ndaj tij u ushtrua dhunë nga Drejtori Krasniqi.
Kryeshefi Krasniqi dhe fqiu i tij Sharani ishin përfshirë në një sulm fizik me 31 maj të vitit të kaluar.
Informacionin për ngritjen e aktakuzës kundër tyre e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Hekuran Batusha.
“Ju njoftoj se lidhur me këtë çështje penale hetimet kanë përfunduar dhe është ngritur Aktakuzë ndaj dy personave, një i akuzuar për veprën penale Sulm ndaj personit zyrtar dhe për të akuzuarin H.K, për veprën penale Lëndimi i lehtë trupor”, kishte konfirmuar Batusha për Gazetën Express.
Asamblist i “Alternativa” e Kusari -Lilës dhe kandidat për Asamblist nga “Alternativa” në listën e VV
Hasan Krasniqi është i afërt me partinë në pushtet. Krasniqi ka qenë para dy vjetësh kandidat për asamblenë Komunale të Gjakovës në listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Një biografi e tij është e publikuar në faqen e Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë.
Aty thuhet se Hasani me profesion është Ingjinier i Makinerisë, derisa përmendet se është veteran i UÇK-së.
Aty figuron se Hasani zotëron edhe një biznes privat në Gjakovë që nga viti 1990, derisa thuhet se ka ushtruar detyrën e kryetarit të Shoqatës të Transportit në Gjakovë për dy mandate (2000-2008), pastaj ka mbajtur edhe pozitën e kryetarit të Shoqatës së Transportit të Kosovës (2008-2012).
“Angazhimin e tij politik Hasani e ka filluar duke iu bashkuar partisë “Alternativa”. Ai ishte zgjedhur asambleist në Kuvendin Komunal të Gjakovës gjatë mandatit të parë qeverisës të znj. Mimoza Kusari- Lila. (2014 – 2017). Gjatë mandatit të tij në asamble ai ka qenë anëtar i Komitetit për Politik dhe Financa”, thuhet në faqen e VV’së.
Si asambleist i zgjedhur Hasani synon të kontribuojë në zhvillimin e ndërmarrjeve publike lokale në Gjakovë. Gjithashtu, do angazhohet në zhvillimin e turizmit, mbrojtjen e ambientit, investime në infrastrukturën sportive dhe nxitjen e të rinjëve e të rejave për të zhvilluar aktivitete sportive. Hasani në listën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Asamble Komunale mban numrin 14”, thuhet në postim.
Tre muaj pasi si kandidat nga partia e Mimoza Kusari-Lilës në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur asamblist, në janar të 2022-tës ishte emëruar nga Qeveria e Kosovës kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.
Me ligjin për Ndërmarrjet Publike parashihet që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit.
Megjithatë, në vitin 2014 deri në 2017, Krasniqi kishte qenë për një mandat brenda Asamblesë në Gjakovë nga radhët e partisë Alternativa – partia e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila. Por, sikurse në vitin 2021 me LVV, edhe në vitin 2017 me Alternativen ai kishte dështuar të rizgjidhej asambleist./Demokracia