Ndërmjetësi evropian në dialog, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se është takuar me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar me të cilët ka biseduar për situatën në Ballkanin Perëndimor. Takimi është zhvilluar në New York. Lajçak ka thënë janë në të njëjtën linjë në lidhje me zhvillimet dhe situatën në Ballkanin Perëndimor. “Kishim darkë mes miqsh të mirë në New York me Chollet dhe Escobar. Gjithmonë është e dobishme të rikonfirmojmë se ne ndajmë të njëjtin lexim të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe jemi në të njëjtën linjë në lidhje me rrugën përpara”, ka shkruar Lajçak në platformën X. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk u pajtuan javën e kaluar rreth hapave për zbatimin e marrëveshjes ndërsa zyrtarët evropianë thanë se ishte kryeministri Kurti ai që nuk e pranoi një propozim për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit. Kryeministri Kurti fajësoi të hënën të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak për dështimin e bisedimeve duke e akuzuar atë për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës. Nga BE-ja nuk kishte ndonjë reagim rreth akuzave të Kurtit, por në anën tjetër Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi. “Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falenderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”, u tha në përgjigjen e DASH për Zërin e Amerikës.

- in Lajme

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se blloku evropian kërkon që Kosova dhe Serbia “pa vonesa” të nisin zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

“Ajo se çfarë duam ne, çfarë kërkojmë është nisja e zbatimit bazuar në propozimin tonë, pa vonesa të mëtejme, dhe kjo përfshin edhe obligimin për të dyja palët që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e arritura më herët në dialog”, tha Borrell.

Ai këto komente i bëri gjatë një konference për media pas takimit joformal në Nju Jork me ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian. Në këtë takim ai ka informuar ministrat për rundin e fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që përfundojë pa ndonjë rezultat.

“Ata shprehën shqetësim me mungesën e zbatimit të zotimeve nga palët sa i përket Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Normalizimi është proces, është rrugë dhe është zbatim”, theksoi Borrell.

Për Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin për zbatimin e saj, Kosova dhe Serbia janë pajtuar më herët gjatë këtij viti. Por, blloku evropian ka thënë se marrëveshja nuk ka nisur të zbatohet.

Borrell tha se kjo marrëveshje është e detyrueshme për palët. Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu palët zotohen se do të zbatojnë marrëveshjet e arritura më herët në procesin e dialogut.

Çfarë parasheh propozimi i BE-së?

Sipas burimeve në BE, propozimi i bllokut evropian thotë se zbatimi do të niste me “Hapjen e procesit negociues për Statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë“, që nënkupton Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Paralelisht me zbatimin, Beogradi nuk do të insistonte më në përdorimin e fusnotës apo pjesëmarrjen e UNMIK-ut në forumet rajonale.

Pastaj do të përmbylleshin negociatat për “Statutin e instrumenteve të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës”.

Hap i radhës, sipas këtij propozimi të BE-së, do të ishte që palët të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe do të përmbaheshin nga çdo formë e dhunës, apo nxitjes së dhunës.

Sipas BE-së, më pas do të vendoseshin “instrumentet e vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës“ dhe paralelisht do të ndërpriteshin strukturat e administruara nga Serbia në Kosovë dhe transformimi i tyre nën instrumentet e vetëmenaxhimit.

Pas kësaj do të pasonte njohja e dokumenteve dhe simboleve shtetërore.

Si hap i radhës do të ishte marrëveshja për një udhërrëfyes të obligueshëm për zbatimin e obligimeve që dalin nga marrëveshjet nga e kaluara në dialog.

“Formalizimi i statutit të Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë” do ta përbënte hapin e radhës, pasuar nga aranzhimet praktike për shkëmbimin e misioneve të përhershme. Serbia, pas kësaj, nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, ndërsa Kosova do të kompletonte procedurën e brendshme për mbrojtjen e objekteve kulturore dhe fetare serbe.

Po ashtu, sipas propozimit të BE-së, do të vendosej një grup i veçantë i punës, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, për implementimin e neneve të marrëveshjes. Kurse, pas kësaj, do të pasonte organizimi i konferencës së donatorëve dhe përgatitja e projekteve nga palët.

Në fund, sipas këtij propozimi të BE-së, do të nisnin negociatat për marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve. Ky dokument në të cilin thirren burimet e BE-së, mban datën e 19 korrikut të këtij viti.

Pas takimit më 14 shtator, nga BE-ja thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Borrell pas takimit të 14 shtatorit deklaroi se Kurti kishte këmbëngulur që fillimisht të formalizohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Kurti në Bruksel tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Kryeministri kosovar tha se në takim kishte paraqitur një plan të tij për zbatimin e marrëveshjes, por shtoi se ky propozim u refuzua nga blloku evropian dhe Beogradi.

Më 18 shtator, Kurti tha se i dërguari i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, gjatë takimit në Bruksel “u pozicionua” kundër Kosovës, duke e akuzuar atë se e ka “deformuar procesin duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë dhe të hollësishëm, të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”.

Rundi i dialogut në nivel të lartë ishte takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit që kur nisën tensionet në veri të Kosovës në fund të majit.

Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, që dolën nga zgjedhjet e prillit – votime të bojkotuara nga partitë dhe popullata serbe.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi të ulin tensionet dhe që të mbahen zgjedhje të reja. Kosova ka thënë se ka ulur praninë policore në veri dhe ka ndërmarrë hapa ligjorë që do të mundësonin largimin e kryetarëve përmes peticionit. BE ka mirëpritur këto hapa, por ka thënë se duhet bërë më shumë./Demokracia