Ndalohen në kufi emigrantë ilegalë të fshehur në një kamion me lodra

- in Lajme

Policia Kufitare e Kosovës më datë 30.03.2021 gjatë realizimit të detyrave zyrtare në funksion të implementimit të planit operativ “Parandalimi i hyrjes së emigrantëve ilegalë dhe kontrabandimi me mallra”, rreth orës 10:40 në terminalin doganor Hani i Elezit, ka ndaluar kamionin e tipit “Renault”, ngjyrë e zezë me rimorkio, të cilin e ngiste vozitësi mashkull/shqiptar, i cili transportonte mallra nga një shtet tjetër.

Kamioni është kontrolluar nga zyrtarët policor me pajisjen Human Presence Detector – zbuluesi i pranisë së njerëzve në automjete dhe gjatë kontrollit pajisja në fjalë ka dhënë shenja se në rimorkio mund të këtë prezencë të qenieve njerëzore.

Pas pranimit të sinjalit është vendosur që rimorkio në fjalë të hapet dhe të kontrollohet. Në hapjen e kamionit kanë marrë pjesë dy zyrtarë policorë dhe një zyrtar doganor.

Pasi është hapur mbuluesi i rimorkios është vënë re se aty gjendeshin tre persona emigrantë ilegalë të fshehur në lodra fëmijësh – mall i ngarkuar në rimorkio.

Emigrantët janë zbritur nga rimorkio për t’u identifikuar dhe kontrolluar, ndërsa kamioni është dërguar në hangar të terminalit për t’u kontrolluar më në detaje, përderisa vozitësit i është ofruar edhe ndihmë mjekësore.

Lidhur me rastin janë njoftuar njësitet kompetente policore dhe veprimet e mëtejme janë marrë në koordinim me prokurorin./KP