NATO njoftoi pezullimin e të gjithë mbështetjes për autoritetet afgane dhe bëri thirrje për “respektim të normave dhe standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare në të gjitha rrethanat”.
Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s lëshuan një deklaratë të përbashkët duke u kërkuar autoriteteve në vendin e shkatërruar nga lufta të “respektojnë dhe lehtësojnë” largimin e sigurt dhe të rregullt “të qytetarëve tanë, shtetasve të vendeve partnere, si edhe të afganëve në rrezik”, raporton ATSh.
Ministrat, gjithashtu, u zotuan të mbajnë “koordinim të ngushtë operacional” gjatë përpjekjeve të evakuimit në aeroportin e Kabulit.
Në deklaratë, ata nxisin autoritetet “të mbrojnë të drejtat e njeriut për të gjithë afganët, veçanërisht të grave, fëmijëve dhe pakicave në vend”.
Talebanët morën kontrollin e Afganistanit, pas pushtimit të Kabulit më 15 gusht, duke detyruar presidentin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të largohen nga vendi./KP