Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava ka uruar Ipeshkvin e Kosovës Dodë Gjergjit, me rastin e festës së Pashkëve.
“Është viti i dytë që njerëzimi po përballet me pandeminë COVID-19, megjithatë festat tona fetare paraqesin momente reflektimi e motivimi për ta njohur hyjnoren, respektuar vetën e tjetrin, si dhe për të ngritur të ardhmen më të mirë. Te populli ynë është dëshmuar katërçipërisht se festat fetare janë vlerë themeltare në traditën tonë, përmes së cilave kultivojmë mirëkuptimin, harmoninë e respektin, si dhe solidaritetin e mbështetjen kur është e nevojshme”, thuhet në urim.
Për më tepër, myftiu Tërnava ka uruar që sa më parë të kalojë pandemia, në mënyrë që të qytetarët t’i kthehen detyrave të përditshme.
“Duke ju përshëndetur vëllazërisht edhe njëherë ju uroj Juve dhe gjithë besimtarët katolik, Gëzuar Pashkët! Paçi lumturi, paqe, harmoni dhe begati në familjet tuaja”, përfundon urimi i kreut të BIK-ut /KP