“Na vijnë me kërkesa të Serbisë…” | Propaganda e rrezikshme e Kurtit kundër ShBA-së

- in Lajme

“Të dërguarit e ShBA-së dhe BE-së për bisedimet Kosovë–Serbi, përkatësisht Escobar dhe Lajçak, vijnë tek ne me kërkesa, me kërkesat e palës tjetër [Serbisë]”.

Kjo është një nga deklaratat skandaloze të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 8 qershor 2023, me anë të së cilës, një nga drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, po bënte akuzë të padëgjuar më parë në adresë të një zyrtari të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan Demokracia.com.

Escobar nuk përfaqëson çfarëdo shteti, por ShBA-në, si i dërguar i posaçëm i presidentit të ShBA-së, e cila ka një rol të pazëvendësueshëm në lirinë, pavarësinë dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.

Dëmi nga kjo deklaratë është i përmasave të mëdha, sidomos kur ajo është dhënë në gjuhën angleze dhe për një media të madhe ndërkombëtare, siç është Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Associated Press”.

Kjo deklaratë e dëmshme dhe që cenon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës, ShBA-së dhe BE-së, nuk duket aspak se është e rastësishme dhe shenjë e ndonjë lëshimi të momentit.

Por, Kurti këtë qëndrim e ka ngurtësuar edhe më shumë, pasi disa muaj pas akuzës në Associated Press, ai ka vazhduar ritmin e propagandës edhe në një media tjetër që financohet nga Kongresi Amerikan, në Radion Evropa e Lirë, seksionin e gjuhës shqipe.

Në intervistën e datës 19 mars 2024, Kurti i ka portretizuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës si transmetuese të kërkesave të Serbisë në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Madje, Kurti ka thënë se në këtë rast “duhet të kemi kujdes”.

“… kur na kërkojnë diçka, që ne e kemi dëgjuar më herët nga Beogradi, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë edhe ndërmjetëse, atëherë ne duhet të kemi kujdes. Serbinë ne e njohim më mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Populli shqiptar i Kosovës e njeh më mirë Serbinë se Uashingtoni. Dhe, Uashingtoni nuk e ka fqinje Serbinë. Ne e kemi fqinje Serbinë”.

Sigurisht se ky diskurs i kryeministrit Kurti, por edhe vartësve të tij, është në thelb një propagandë e rrezikshme kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, roli i të cilave për Republikën e Kosovës nuk mund të zëvendësohet me asnjë shtet tjetër.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë kritike ndaj vendimeve të pakoordinuara të kryeministrit Kurti lidhur me çështje që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës, duke kërkuar nga ai që të mos i shërbejë tensionimit të situatës së sigurisë, pasi kjo do të mund të përshkallëzonte situatën. / Demokracia.com /