Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se kryeministri aktual, Albin Kurti më nuk po i beson as vetes lidhur me Asociacionin.
Mustafa ka thënë se dikur Kurti besonte që Asociacioni nuk duhet të kalojë. Ai ka pyetur, pse duhet të kalojë tani kjo marrëveshje.
“Në qoftë se ata kanë besuar në ato kauza, atëherë pse të kalojë Asociacioni. Në qoftë se kryeministri ka qenë i bindur që Asociacioni nuk duhet të kalojë, atëherë pse të kalojë meqenëse i ka votat në Kuvend”, ka shkruar Mustafa.
“Votuesve u ka thënë që Asociacioni nuk kalon kurrë, tash po kalon”, ka thënë ai.
“Kryeministri nuk i beson as vetes, as fjalëve të veta e qëndrimeve të veta. Po t’i besonte fjalëve të veta, nuk duhet vënë kushtet që Asociacioni të kalojë. Kryeministri nuk mund ta kapërcejë këtë situatë, duke bërë lojë fjalësh”, ka thënë ai.
Ndryshe, kujtojmë se kryeministri Kurti i ka prezantuar më 2 shkurt, gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit, por BE-ja nuk i ka komentuar ato.
Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.
Vuçiq, në anën tjetër, i ka konsideruar këto kushte si “përralla“.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.