Sputnik Srbija në vazhdën e shpërndarjes së lajmeve të rreme për Kosovën, së fundmi ka botuar një lajm të sajuar për projektligjin për Policinë Ushtarake të FSK-së.
Agim Musliu, ekspert i çështjeve të sigurisë ka thënë se, institucionet e sigurisë së Kosovës janë targeti kryesor i sulmit të rusëve.
“Sipas artikullit të Sputnik , me titull ‘Loja e re mes Prishtinës dhe Perëndimit e rrezikshme për serbët: Të shpallen të tepërta të gjitha forcat ndërkombëtare’, rusët duan ta rrisin sentimentin ndërkombëtar se Kosova është duke ua kthyer me të keq atyre vendeve që e ndihmuan në shtetndërtim”, ka thënë Musliu.
Edhe pse ende është në fazën e konsultimeve publike, e që nënkupton që mund të ndryshohet, shtohet apo modifikohet, Projektligji për Policinë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka filluar të keq-interpretohet dhe nga ai të nxirren lajme të rreme nga mediat ruse dhe ato pro-ruse në Kosovë.
Musliu më tej ka theksuar se ky mesazh ka për qëllim thellimin e konfliktit shqiptaro-serb dhe destabilizimin e rajonit.
“Në Serbi Sputnik e shpërndan mesazhin, kurse menjeherë në Kosovë, si repetitor i Sputnik, kanali mediatik serb Kosovo-Online, vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në shpërndarjen e lajmeve të rreme dhe dezinformatave të Kremlinit. Kjo e bën më të lehtë shpërndarjen e sulmeve mediatike nga Rusia”, ka thënë Musliu.
Gjithë këtë pretendim Sputnik Srbija e bazon vetëm në opinionin e një analisti, Srdjan Perisic, i cili thuhet se është profesor i së drejtës ndërkombëtare në Institutin për Studime Aziatike në Beograd.
Pas Sputnik Srbija, edhe portali serb në Kosovë, Kosovo-Online, në ora 21:27, publikoi artikullin e ngjashëm, duke ju referuar medies ruse Sputnik Srbija. Deri më tani, edhe një portal tjetër serb, Vesti Online, ka publikuar artikullin e njëjtë.
Në projektligjin për Policinë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, askund nuk ceket se FSK do të “arrestojë anëtarët e misioneve ndërkombëtare në Kosovë”, e aq më pak, askund nuk ceket se FSK do të “arrestojë anëtarë të KFOR-it, EULEX-it apo UNMIK-ut”.
Për më tepër, në Nenin 7 (Autorizimet) të këtij projektligji, thuhet si në vijim:
“PU-ja i ushtron autorizimet e veta në kazermat apo në zonat e operacionit ku operon FSK-ja, në hapësirat e MM-së, jashtë kazermave ndaj personelit të FSK-së dhe MM-së, si dhe ndaj personave që bien ndesh me urdhrat e ligjshëm.”
Ndërsa, Neni 13 (Arrestimi dhe ndalimi) thotë si në vijim:
“Polici Ushtarak bën arrestimin dhe ndalimin e ushtarakut ose civilit sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.”
Andaj, si të tilla, pretendimet që rrjedhin nga mediat ruse dhe pro-ruse në Kosovë, kanë qëllim dezinformonim dhe manipulimin e publikut, dhe si i tillë konsiderohet si i sajuar apo “Fake News”.