Musliu: Për rrezikun që do të vijmë në gjendjen e sotme në veri kemi paralajmëruar muaj më parë

- in Lajme

Kryetarja e Komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka thënë se si Komision para disa muaj i kanë paralajmëruar institucionet për rrezikun dhe përgatitjet që ka bërë shtetit i Serbisë për ta destabilizuar Kosovën.

Këtë ajo e ka thënë në një deklarim për media pas mbledhjes së Komisionit ku ka raportuar inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Kujtim Shala,

“Si Komision për mbikëqyrjen e AKI-së, para disa muajsh e kam paraqitur rrezikun që do të vijmë në këtë gjendje, gjithmonë duke ju referuar fakteve dhe argumenteve dhe raportimeve që i kemi pasë nga terreni. Vetë Agjencia nuk ka rol ekzekutiv, ju e dini që ata mbledhin informata, e njoftojnë kryeministrin, presidenten, për gjendjen e sigurisë kombëtare, pastaj i mbetet ekzekutivit që të menaxhojë me situatën”, është shprehur Musliu.

Ajo ka thënë se si Komision e kanë kryer detyrën e tyre, por nuk ka pranuar që të komentojë nëse Qeveria i ka shfrytëzuar ose përdorur informatat e AKI-së.

“Ne e kemi paralajmëruar që grupe të ndryshme kriminale janë duke u trajnuar në Rashkë për ta destabilizuar Kosovën dhe e kemi paralajmëruar muaj më herët, fatkeqësisht sot jemi në pikën ku jemi, por ne si Komision e kemi kryer detyrë tonë”, ka theksuar Musliu.

/GazetaSinjali/