Kryeparlamentari Glauk Konjufca i ka mbledhur në një takim kryetarët e grupeve parlamentare, pasi PDK-ja dhe AAK-ja bllokuan foltoren e Kuvendit në shenjë proteste që Qeveria nuk i përfshiu veteranët në projektligjin për pagën minimale.
Ndërkohë, jasht po vazhdon protesta e veteranëve, të cilët janë të indinjuar me trajtimin nga Qeveria.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili e propozoi projektligjin që u miratua në lexim të parë të martën, është dukur mjaft aktiv pasi seanca e Kuvendit u ndërpre përkohësisht, raporton Gazeta Express.
Në sallë, Murati u end, bisedoi në telefon e u aftua te kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Me ta u pa duke diskutuar gjatë.
Jashtë, deri në dyert e Kuvendit veteranët po protestojnë të indinjuar që deputetët të martën miratuan në parim projektligjin për caktimin e pagës minimale i cili i mënjanon ata.
Policia është mobilizuar ndërsa veteranët e UÇK-së janë futur në oborrin e Kuvendit dhe do të shkojnë edhe para Qeverisë.
Miratimi i këtij projektligji mund t’i kushtojë me një deputet më pak në grupit parlamentar të Vetëvendosjes.
Deputeti Fatmir Humolli të martën doli nga salla i nervozuar pasi kolegët e tij i ngritën duart për ta miratuar projektligjin. Ai tha se Qeveria po bën “luftë speciale kundër veteranëve” dhe se ministri i Financave, Hekuran Murati “po bën lojë të ndyrë me këtë kategori”./Express




