“Mund ta shkruaj”, “S’kam thënë se dua të shkruaj”, “Kam aftësi ta shkruaj” | Kurti joserioz dhe i pavendosur

- in Lajme

Vetëm brenda një periudhe 20-ditore, nga 21 dhjetori i vitit 2023 deri më 11 janar 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë i pavendosur në deklarimet e tij kur bëhet fjalë për të shkruar Statutin e Zajednicës.

Më shumë se një pozicion i qartë që duhet ta mbajë një kryeministër serioz, Kurti nuk ka arritur të tregohet i vendosur në qëllimin e deklarimeve të tij, shkruan Demokracia.com.

Gjithçka duket se filloi me një intervistë të emisarit evropian në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, kur është pyetur për insistimin e kryeministrit Kurti që të nënshkruhet Marrëveshja Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023], Aneksi i zbatimit [Ohër, 18 mars 2023] dhe dokumenti për themelimin e Zajednicës.
Më 21 dhjetor 2023, në përgjigjen e tij, Lajçak ka thënë se “Sipas pikëpamjes sonë, kjo nuk është e nevojshme. Akti ligjor, ashtu sikur është i dizajnuar tani, është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës. Me nënshkrimin e Kosovës dhe Serbisë, Statuti do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare, çka nuk është”, tha Lajçak.

“UNË MUND TA SHKRUAJ” NJË STATUT PËR ZAJEDNICËN

Nuk ka vonuar shumë dhe të nesërmën, më 22 dhjetor 2023, kryeministri Albin Kurti i është kundërpërgjigjur deklaratës së emisarit evropian.

Sipas kryeministrit Kurti, “meqë draftstatuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”.

“S’KAM THËNË SE DUA TË SHKRUAJ”

Por, kryeministri Kurti nuk ka qenë i vendosur në atë që ka shprehur në shkrimin e tij në rrjetin social, Facebook. Vetëm një ditë më pas, më 23 dhjetor 2023 ai ka ndryshuar qëndrim.

Në një konferencë, ai është munduar të lë fajtorë të tjerët për keqkuptim, pasi sipas tij, ai “nuk ka thënë se do ta shkruaj”, por vetëm se “mund ta shkruaj”.

“Dhe tash nëse draft-statuti i Asociacionit prej ndërmjetësit thuhet se është një çështje e brendshme e Kosovës, ky është regjistër tjetër i gjërave. Me fjalë tjera, ne paskemi humbur kohë sa herë është ngritur Asociacioni në tryezën e dialogut në Bruksel. Por, unë s’e kam ngritur asnjëherë, tjetërkush e ka bërë atë. Kjo i bie që koha në Bruksel për draftin për Asociacionin gjatë këtyre dy viteve paska qenë e panevojshme si temë, rrjedhimisht e humbur si kohë. Kjo është arsyeja pse thashë që nëse është një çështje ekskluzivisht e Kosovës, plotësisht dakord, atëherë Kosova për çështje të brendshme jo vetëm që ka Qeveri, por edhe ministra përkatës. Unë s’kam thënë se do ta shkruaj, por kam thënë se mund ta shkruaj draftin dhe kam treguar se cilët janë ministrat e mi se kush janë ata”.

“KAM AFTËSI TA SHKRUAJ”

Qëndrimin e tretë dhe të fundit deri më tani, po për këtë çështje, Kurti e ka shfaqur më 11 janar 2024.

Ai sërish ka folur për idenë e hartimit të draftstatutit për themelimin e Zajednicës, por kësaj radhe ka treguar se çfarë ka dashur të thotë kur më herët ka folur për shkrimin e dokumentit.

“Nëse është çështje e brendshme, siç u tha për herë të parë, unë mund ta shkruaj, pra nuk i kam dhënë premtim tjetrit, por kam shprehur aftësi vetjake për ta shkruar dhe le ta diskutojmë”, ka thënë Kurti.
Më 21 tetor 2023, kryeministrit Kurti i është dorëzuar një draftstatut për themelimin e Zajednicës nga 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën e Italinë, të cilin, më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë. / Demokracia.com /