Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në fshatin Rudare të Zveçanit, kanë ndaluar një automjet me të cilin po kontrabandoheshin barna.
Njësitet policore gjatë kontrollimit të automjetit, kanë hasur pako me produkte medicinale me banderola të Serbisë.
Drejtuesi i automjetit, nuk posedonte dokumente për prejardhjen e produkteve medicinale, andaj ekziston dyshim i bazuar se ato kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale, pra janë kontrabanduar duke i ikur obligimeve doganore.
“Të gjitha këto barna ilegale të sekuestruara janë dorëzuar tek Dogana e Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Sipas MPB-së, lufta ndaj krimit të organizuar dhe kontrabandës do të jetë e pa kompromis dhe do të vazhdojë të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Ndërkaq Policia e Kosovës ka njoftuar se automjeti i ndaluar ishte një auto-ambulancë që drejtohej nga D.S., viti i lindjes 1965 në Mitrovicë e me banim në Zveçan.
“Njësitet policore gjatë kontrollimit të automjetit, të ngarkuar në të, kanë hasur pako me produkte medicionale me banderola të Serbisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia për rastin ka njoftuar prokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe rasti në koordinim me të është duke u trajtuar nga policia.
/Albanianpost.com