Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, beson se ai nuk do t’ia hidhte pa u lagur, nëse do të sillej si homologu i tij te Liverpooli, Jurgen Klopp, gjatë ndeshjeve të Premierligës.
Mourinho dhe Klopp do ta ripërtërijnë rivalitetin sonte në mbrëmje kur Liverpooli e viziton Tottenhamin për një ndeshje të Premierligës në Londër, gjashtë javë pas takimit në Anfield gjatë të cilit ata u fjalosën përfundimit të ndeshjes.
Mourinho i kishte thënë Kloppit se skuadra më e mirë në fushë kishte humbur atë natë, me këtë s’u pajtua Klopp. Pastaj, në konferencë për media pas ndeshjes, trajneri portugez sugjeroi se homologu i tij gjerman nuk ndëshkohet për sjelljet e tepruara.
Së fundmi, Klopp u përlesh me trajnerin e Burnley, Sean Dyche, në tunelin e stadiumit dhe Mourinho thotë se gjermani nuk mbikëqyret njëlloj siç mbikëqyret ai.
“Në rastin tim, ndjeva evolucion. Ndjeva evolucion në kontrollimin e emocioneve”, tha Mourinho në lidhje me sjelljen e tij në fushë, e cila i kishte shkaktuar shumë telashe në të kaluarën.
“Sa më i qetë që jam, aq më mirë e lexoj ndeshjen. Ndjeva se duhej ta ndryshoja sjelljen, me të cilën jam shumë i lumtur. Ky është rasti im personal. Nuk mund të flas për të tjerët”, shtoi ai, transmeton GE.
“Çfarë mund të them është se kur nuk u solla mirë, e pagova shtrenjtë. E pagova në dy mënyra, duke u detyruar t’i shikoj ndeshjet e ekipit tim në TV dhe duke paguar gjobë dhe ndiej se, për disa të tjerë nuk ndodh e njëjta. Për ata nuk vlen e njëjta”, theksoi ai. /RTK