“Mos na detyroni ta eskalojmë situatën prapë” | Bislimi tregon se i thanë BE-së që Qeveria Kurti mund ta eskalojë situatën kur të dëshiron

- in Lajme

Duke përbrendësuar kritikën e Serbisë se Kosova është ajo që e eskalon situatën në komunat veriore dhe në linjë me akuzat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka prodhuar një skandal në intervistën e tij të fundit, duke iu drejtuar Bashkimit Evropian që të mos e detyrojnë Kosovën “ta eskalojë situatën prapë”.

Derisa fliste për dakordimin me Bashkimin Evropian për hapat de-eskalues që duhet t’i ndërmerr Kosova për ta shtensionuar situatën në Veri dhe rrjedhimisht t’i hiqen masat, Bislimi në emisionin Konfront në KTV, tha se “ne” i kemi thënë BE-së që të mos i detyrojë ta eskalojnë situatën prapë.

“Ne kemi thënë: masat për de-eskalim duhet të hiqen për shkak të de-eskalimit, mos na detyroni me eskalu situatën për m’iu tregu që e de-eskalojmë prapë”, deklaroi njeriu i dytë i Qeverisë së Kosovës.

Duke vazhduar deklarimin e tij në raport me BE-në se “situata në Veri ka de-esklauar, tregoni që masat që janë vendosur për këtë nuk e kanë më bazën e tyre, rrjedhimisht është e palogjikshme të futen”.

Për ta pasur të plotë se çfarë ka thënë Bislimi dhe për të rrëzuar dyshimet për nxjerrje nga konteksti, apo keqkuptim, po e sjellim deklarimin e Bislimit nga momenti i pyetjes së gazetares e deri në përfundim të përgjigjes.

Citati nga emisioni:

“Ne ato kushte (për de eskalim) i kemi përbushur.

Në qoftë se tash Bashkimi Evropian thotë se e kemi edhe një kusht, ato pushojnë së qenuri masa për de-eskalim. Marrin kuptim tjetër, ka tendecë që të njëjtin produkt me ta shitë pesë herë.

Është keqpërdorim i masës.

Ne kemi thënë: masat për de-eskalim duhet të hiqen për shkak të de-eskalimit, mos na detyroni ta eskalojmë situatën për t’iu treguar që e de-eskalojmë prapë. Situata në Veri ka de-esklauar, tregoni që masat që janë vendosur për këtë nuk e kanë më bazën e tyre, rrjedhimisht është e palogjishkme të futen”.

Kjo nuk ishte deklarata e vetme problematike e Bislimit në këtë emision. Me tensione dhe fjalë të ashpra ai është shprehur gjatë gjithë intervistës.

Në një moment edhe ka akuzuar perëndimin se kërkesa e tyre për pezullim të vendimit të dinarit nuk ka të bëjë me shpjegimin që e japin ata për paqartësinë e pensionistëve serbë të Kosovës, por për faktin që nuk duan t’ia ndalin Serbisë financimin e terroristëve dhe strukturave të tjera kriminale./Demokracia