Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia vazhdimin e procesit të dialogut për çështjen e dinarit.
Pas takimit të së martës, i cili nuk ka sjell ndonjë rezultat, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se në takimin e parë shumë pyetje politike kanë mbetur pa përgjigje, raporton Nacionale.
Në llogarinë e tij në platformën “X”, ai ka shkruar do të nevojiten takime tjera për këtë çështje.
“Unë mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i Dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë.”, ka shkruar Lajçak.
Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në një përgjigje për “Radion Evropa e Lirë”, DASH ka vlerësuar se bisedimet në Bruksel për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, “duhet të vazhdojnë me urgjencë”.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, është thënë në përgjigjen e DASH-it.
Deri me tani askush nga Qeveria e Kosovës nuk e ka komentuar takimin e parë për dinarin.
As kryeministri Albin Kurti dhe as kryenegociatori Besnik Bislimi, që më herët kishin deklaruar se kjo çështje nuk do të diskutohet në Bruksel, nuk e kanë thënë asnjë fjalë për takimin e parë për çështjen e dinarit.
Takimin e ka komentuar vetëm Femi Tahirsylaj, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai është tallur me paralajmërimin e emisarit të BE-së se do të nevojiten takime shtesë për këtë çështje.
“Tha se “do të nevojiten takime shtesë”. Posi, derisa të bëjë shelgu duda. The End!” – ka shkruar Tahirsylaj në profilin e saj në “Facebok”.
Pas takimin, Banka Qendrore e Kosovës, që e ka përfaqësuar Kosovën në këtë takim, ka lëshuar një njoftim, ku ka treguar se për çka është diskutuar.
Një njoftimin e BQK-së është thënë se pala kosovare në këtë takim ka prezantuar argumentet e veta.
“Delegacioni i BQK-së pas këtij takimi, me sugjerimin dhe nën organizimin e BE-së takoi edhe delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë, ku brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktikë nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese, pa asnjë ndryshim të kornizës ligjore në fuqi”, është thënë në njoftimin e BQK-së.
Në takimin e të martës, Kosova është përfaqësuar nga guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismailin dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.
Emisarit Lajçak, fillimisht, ka zhvilluar takim ndaras me palët dhe më pas ka zhvilluar takimin trepalësh.
Njohësit e rrethanave politike në vend dhe opozita e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për çështjen e dinarit, duke e ftuar atë që t`i marrë parasysh kërkesat e aleatëve perëndimorë. Ata kanë vlerësuar se duke refuzuar kërkesat e ndërkombëtareve, Qeveria ka bërë që çështjet e brendshme të Kosovës të diskutohen me Serbinë në Bruksel./Demokracia