Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është vetëkënaqur duke lexuar “sukseset” e Qeverisë që ai drejton prej tri vitesh, me rastin e fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.
Krejt i papenguar, Kurti ka listuar një numër të madh të “sukseseve”, ku bie në sy mungesa e projekteve të mëdha.
“14 shkurti nuk paraqet vetëm përvjetorin e një fitoreje elektorale, por e përmbysjes më të madhe politike demokratike në Kosovën e pasluftës. Është revolucioni elektoral ku ngadhnjeu mirë qeverisja mbi korrupsionin, drejtësia mbi diskriminimin. Këto tri vite dëshmuam se është e mundur që të qeveriset në përputhje me vullnetin e popullit, me duar të pastra, duke e ruajtur e mbrojtur vendin, kushtetutshmërinë, dhe paqen e sigurinë. Vendi ynë ka qenë shembull i vërtetë i guximit të vendosmërisë së popullit dhe i qeverisë së tij, në përballje me sfidat e mëdha”, tha fillimisht Kurti.
I pari i qeverisë përmendi edhe disa arritje në këto tri vite, që sipas tij janë realizuar.
“Arsimin e lartë e bëmë falas, siç kishim premtuar. Filluam me shtesa për nënat lehona dhe fëmijë, platformën për punësimin e të rinjve, shkatrruam bandat kriminale në vend, ligjshmëria dita ditës po shtrihet, siç kishim premtuar”, shtoi Kurti.
Tutje ai tha se Qeveria që ai drejton ka investuar në FSK më shumë se të gjitha qeveritë së bashku, derisa sa i përket liberalizimit të vizave, kreu i ekzekutivit tha që edhe pse nuk e kanë premtuar, një gjë e tillë u realizuar këtë vit.
“Qeveria në këto tre vite ka investuar më shumë se të gjitha qeveritë e kaluara marrë së bashku ne FSK, duke e bërë serioze në mbrojtjen e paqes dhe sigurisë në vendin tonë. Ne nga fillimi i qeverisjes i kemi investuar 239 milionë euro në pajisjet e reja”, shtoi tutje ai, duke thënë se “Kosova është e të gjithëve dhe të gjithë duhet të kontribuojnë në të”.
“E realizuam liberalizimin e vizave, edhe pse se kishim premtuar. Spanja njohu pasaportat tona, Emiratat e Bashkuara dhe Izraeli hoqën vizat për qytetarët tanë”, tha ai.
Sipas Kurtit, 14 shkurti nuk shënon vetëm Ditën e të Dashuruarve, por e dashurisë për vendin, pasi siç tha ai tani Republika e Kosovës është më e sigurtë e më e qëndrueshme.
“14 shkurti është vullneti i këtij populli për të ndërtuar të ardhmen e tij. Kosova e 14 shkurtit sot pas tri vitesh është Republikë më e fortë, më e qëndrueshme, më e sigurtë për të jetuar. Sot s’është veç dita e dashurisë, por edhe e dashurisë për vendin tonë. 14 shkurti për Kosovën është dita e dashurisë ndaj vlerave dhe interesit të përbashkët”, përfundoi Kurti. /Demokracia.com/