Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, nëpërmjet një publikimi të Facebook, ka reaguar për aferën e ambasadorit Berishaj. Molliqaj shkruan se anëtari i Këshillit Drejtues të VV-së dhe ambasadori në Kroaci, miku politik e personal i Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit, doli të jetë i përfshirë në shpëlarje parash nga mafia energjetike e Kosovës.
Më tutje Molliqaj vazhdoi, se të qëndruarit e Berishajt në postin e ambasadorit dhe afërsia e tij me krerët e shtetit, e ndërlikojnë situatën. Sipas tij, çështja nuk është më shkelje apo problem individual i një qytetari, “hija e dyshimit mbulon edhe mbi vendin tonë, sferën politike dhe partinë në pushtet”.
Molliqaj përfundoi se, ndonëse “presidentja nuk ka dyshim, kryeministri nuk ka reagim, përgjegjësi ka secili.”
Më poshtë mund të lexoni postimin e tij të plotë:
Miqësi me Kurtin, biznes me mafian serbe.
Pjesë e gardës së parë në frymën e instalimit të VV-së në institucione, anëtar në Këshillin Drejtues të VV-së (nga 2016), ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj i famshëm si mik politik dhe personal me Kryeministrin dhe Kryeparlamentarin, doli të jetë i përfshirë me mafian serbe të energjetikës në formacione për shpërlarje parash.
Pavarësisht epilogut të “rastit Berishaj”, në rrafshin ligjor, janë disa të vërteta që na paraqiten si probleme. Rolin si ambasador në Kroaci si dhe afërsia që Martin Berishaj ka me krerët e shtetit e ndërlikojnë situatën. Kjo më nuk mund të jetë vetëm shkelje apo problem individual i një qytetari. Duke qenë i veshur me pushtet të tillë bëhet problem i Kosovës. Hija e dyshimit mbulon edhe mbi vendin tonë, sferën politike dhe partinë në pushtet.
Në anën tjetër, reagimi i presidentës, rëndom në sulm ndaj mediave, tregon për mbrojtjen e “njerëzve të tyre” pavarësisht fakteve. Presidentja nuk ka dyshim, kryeministri nuk ka reagim. Por përgjegjësi ka secili. /Nacionale