Molliqaj paralajmëron protesta për Asociacionin: Kryeministër cila është dita e nënshkrimit?

- in Lajme

Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj e ka quajtur kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, “kryeministër të Asociacionit”.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Molliqaj ka thënë se Asociacioni do të bëhet nga kryeministri Kurti.

Sipas Molliqaj kjo u konfirmua në seancën e Kuvendit të Kosovës.

“Direkt nga foltorja e Kuvendit, kryeministri e shpalli planin. Edhe për skeptikun e fundit, sot u bë e qartë që asociacionin e bën Albin Kurti. Por paska vendosur kushte për formimin e Asociacionit. Dhe kushtet që na i paska!”, ka shkruar Molliqaj.

Kreu i PSD-së, ka paralajmëruar se do të ketë edhe protesta, prandaj i ka ftuar qytetarët që të bashkohen në organizimin e tyre.

“Ftojmë të gjithë ata që janë kundër Asociacionit të bëhemi bashkë në organizimin e protestave. Kundërshtimi dhe organizimi janë në horizont”.

Kurse ka kërkuar përgjigje nga Kurti për datën e nënshkrimit.

“Plani dhe asociacioni u pranuan, kryeministër cila është dita e nënshkrimit? Tregoje datën!”.

“Kur ky thotë njohja si kusht, e ka fjalën për planin franko-gjerman. Kur ky thotë nuk ka asociacion monoetnik, po thërret që duhet t’i ndërrohet emri. Kjo është mënyra e tij e operimit. Nuk ka vend për befasi. Logjika doli zhveshur”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,ka thënë në Kuvendin e Kosovës se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është i mundshëm, por ka përmendur 6 parakushte që duhet plotësohen para se të themelohet kjo strukturë e re qeverisëse brenda Kosovës.

Marrëveshja për formimin e këtij Asociacioni është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Serbia, në anë tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht nga palët që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për Asociacionin.

Artikulimi i fundi i kësaj kërkese u shpreh përmes një letre të hapur të dy top-diplomatëve amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com