Dyzet sekonda heshtje, një kohë e pafundme në televizion.
Nëpër rrjete sociale vazhdojnë të qarkullojnë pamjet e Papa Françeskut që nuk i përgjigjet pyetjes së fundit të Lorena Bianchetti-t, në fund të intervistës së transmetuar në programin “A Sua Immagine” në “Raiuno”.
“Shenjtëria juaj, është gati ora tre. Si duhet ta jetojmë këtë kohë sot?”. Françesko ul shikimin, duket sikur mendon gjatë, pastaj ngre sytë dhe buzëqesh, si për të thënë: “Ja ku jam”
Dhe me të vërtetë nuk mund të kishte përgjigje më elokuente. Ora tre pasdite është momenti i vdekjes së Jezusit: “Nga ora e gjashtë u bë errësirë në të gjithë tokën deri në orën e nëntë”, lexohet në Ungjillin e Mateut.
Dhe është “nga ora e nëntë”, ose 3 pasdite, që Jezusi bërtet: “Zoti im, Zoti im, pse më ke braktisur?”, para se të vdiste.
Biblicistët dhe teologët bien dakord në shpjegimin se mishërimi i Jezusit arrin thellësitë e vuajtjes: deri në heshtjen e Zotit.
Në mbrëmje, në Koloseum, ndërsa një grua ukrainase dhe një ruse po mbanin kryqin së bashku, Françesku dëgjoi duke u lutur fjalët e shkruara për të shoqëruar stacionin e trembëdhjetë, atë të vdekjes së Jezusit: “Përballë vdekjes, heshtja është më elokuente se fjalët. Prandaj le të ndalemi në heshtje lutjeje. Secili le të lutet në zemrën e tij për paqen e botës”.
Ndonjëherë nuk ka fjalë, si përballë dhimbjes së pafajshme. Revolta e Ivanit vjen në mendje te “Vëllezërit Karamazov” të Fjodor Dostojevskit, një roman i dashur për Françeskun: “Nëse vuajtjet e fëmijëve do të arrinin shumën e vuajtjeve të nevojshme për përvetësimin e së vërtetës, atëherë unë deklaroj që tani se e gjithë e vërteta nuk vlen një çmim të tillë”.
Papa foli për këtë disa herë, së fundmi për Fabio Fazio: “Për mua, një pyetje të cilës nuk kam mundur t’i përgjigjem kurrë dhe që ndonjëherë më skandalizon pak është: pse vuajnë fëmijët? Nuk gjej shpjegim për këtë. Unë kam besim, përpiqem ta dua Zotin që është babai im, por pyes veten: pse vuajnë fëmijët? Dhe nuk ka përgjigje”.
Ndonjëherë përgjigjja e vetme është heshtja. Françesku dikur shkroi: “Heshtja është gjithashtu gjuha e Zotit dhe është gjithashtu gjuha e dashurisë, siç shkruan Shën Agustini: Nëse heshtni, heshtni për dashurinë, nëse flisni, flisni për dashuri”.
/Gazetatema