Ministria e Zhvillimit Rajonal fajin për “masakrën” drejtshkrimore ua lë tentim-sulmeve kibernetike

- in Lajme

Ministria e Zhvillimit Rajonal, që udhëhiqet nga Fikrim Damka, kishte lëshuar njoftime zyrtare me gabime të rënda gjuhësore.

Në shumë njoftime kishte përzierje të gjuhës shqipe me atë serbe brenda një fjalie të vetme.

Në ndërkohë, kjo ministri është përgjigjur për Klanin, duke thënë se gabimet drejtshkrimore ishin pasojë e tentim-sulmeve kibernetike.

MZhR-ja tha se tashmë ka ndërmarrë masa për të parandaluar defekte të tjera të ngjashme.

“Me dt. 19/05/2023 (e premte), faqja zyrtare e ministrisë (https://mzhr.rks-gov.net) ka pasur tentim sulmi kibernetik (problem i cili ka përzier informacionet në gjuhën shqipe dhe serbe) brenda ueb faqes së MZHR-së (CMS-it), si dhe e kemi pasur të pamundur me orë të tëra të kyçemi në faqen zyrtare dhe të korrigjojmë problemin teknik të publikimeve/korrigjimin e lajmeve, është hera e parë që kemi pasur probleme të tilla”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Klankosova.tv.

Tutje, Zyra për Informim e kësaj ministrie tha se të njëjtat publikime, më 19 maj, janë bërë edhe në rrjetin social facebook, të cilat kanë qenë në rregull, ndërsa gabimet tashmë janë përmirësuar.

“Ministria e Zhvillimit Rajonal nuk ka të rekrutuar zyrtar për lekturim. Gabimet gjuhësore (gabimet të cilat kanë ardhur si pasojë e sulmit kibernetik v.j), të cilat janë publikuar nga ana e juaj (lajmi i publikuar të shtunën me dt. 20/05/2023 me titull ‘Ministria e Damkës bën ‘masakër’ gjuhësore – gjysmë shqip, gjysmë serbisht”) ju njoftojmë se janë përmirësuar”, ka bërë të ditur ministria.

Kujtojmë se kjo ministri, në disa njoftime të bëra më 19 maj, kishte lëshuar gabime të mëdha drejtshkrimore./Demokracia