Liburn Aliu, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, u siguron fëmijëve të tij një arsim luksoz. Dy djemtë e Liburn ndjekin dy nga kolegjet më prestigjioze ndërkombëtare të Kosovës, të cilat janë edhe më të shtrenjtat. Veç për një vit shkollor llogaritet që Aliut t’i bie të paguajë rreth 13 mijë euro për Enenë e Glaukun.
Njëri vijon mësimet në Kolegjin Amerikan të Kosovës (AUK), ndërsa tjetri vijon mësimet në Shkollën Amerikane të Kosovës (ASK). Sipas Periskopit, shpenzimet për të dy llogariten të jenë rreth 13 mijë euro në vit.
Periskopi hetoi faqet zyrtare të këtyre dy kolegjeve dhe i kontaktoi drejtpërdrejt me telefon, ku edhe është zbuluar se mesatarja për një drejtim specifik në AUK kushton më shumë se 3 mijë euro për vetëm një semestër (vit mbi 6 mijë euro). Ndërkaq, një kosto të krahasueshme gjendet në ASK, ku vetëm një vit shkollor kushton 6 mijë e 500 euro.
Në një hulumtim të Periskopit në raportin e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), ministri Liburn Aliu ka deklaruar të ardhura në mijëra euro për vitin 2021, por edhe detyrime financiare të mëdha.
Aliu ka deklaruar tre vende pune: deputet i Kuvendit të Kosovës (tani ministër, por AKK-ja ende nuk e ka publikuar pasurinë për vitin 2022), si profesor në Kolegjin UBT dhe si deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, që në total të hyrat vjetore rrjedhëse rezulton t’i ketë mbi 35 mijë euro veç prej këtyre pozitave që ushtron, pa llogaritur të ardhurat e bashkëshortes së tij.
/Nacionale/