Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përdorë peshore të ndryshme për bashkënegociatorin e tij në Bruksel, presidentin serb Aleksandër Vuçiq, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte Ministër i Informacionit i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
Kurti, ndryshe e përshkruan në Uashington e Bruksel ish-ministrin e propagandës serbe, e krejtësisht ndryshe kur flet për të në Kosovë, shkruan Demokracia.com.
19 MAJ 2022 – NË UASHINGTON, ALBIN KURTI AMNISTON VUÇIQIN
“E dimë shumë mirë se presidenti i Serbisë ishte Ministër i Informimit të Millosheviqit. Por, unë mund ta imagjinoj se Millosheviqi kurrë nuk e ka konsulutar Vuçiqin. Pra, nuk duhet të jetë e vështirë për Vuçiqin që ta distancojë veten nga Millosheviqi, i cili asnjëherë nuk e ka konsultuar atë”.
Kjo është deklarata tronditëse e Albin Kurtit, nga kapaciteti i tij zyrtar si Kryeministër i Kosovës, e dhënë më 19 maj 2022, shkruan Demokracia.com.
Përveç përmbajtjes skandaloze, edhe vendi se ku Kurti po shfajësonte dhe amnistonte presidentin e Serbisë ishte hiç më pak se kryeqendra botërore, Uashingtoni.
Deklarata e Kurtit, e cila e zhvesh presidentin serb Vuçiq nga përgjegjësia e tij, është bërë gjatë një bashkëbisedimi në Këshillin e Atlantikut në Uashington, gjatë vizitës zyrtare të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
15 JANAR 2024 – NË REÇAK, ALBIN KURTI FAJËSON VUÇIQIN
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili deri më tani nuk ka kërkuar ndjesë për deklaratën e tij amnistuese dhe shfajësuese për ish-Ministrin e Informimit, Aleksandër Vuçiq, më 15 janar 2024, në Reçak ku Serbia kreu një nga masakrat më të tmerrshme në Kosovë, foli me gjuhën e popullit, gjuhën që e flasim të gjithë.
Në fjalimin e tij me rastin e 25 vjetorit të kësaj masakre, Kurti ka treguar se si Serbia vazhdimisht është munduar ta fsheh dhe mohojë masakrën e Reçakut dhe për këtë ka fajësuar edhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq, i cili gjithashtu e ka mohuar.
“Përgjithësisht kur e vërteta është kaq e fuqishme, siç është ajo e masakrës së Reçakut, shfaqen edhe narrativa mohuese ndaj saj sikur që ka bërë Serbia që nga dita e masakrës së Reçakut deri më sot, duke u munduar ta turbullojë dhe falsifikojë rolin e drejtpërdrejtë planifikues dhe ekzekutues të shtetit të Serbisë në realizimin e masakrës së Reçakut. Më datë 5 dhjetor të vitit 2019, presidenti aktual i Serbisë që atëbotë ishte ministër i informatave, vetëm para më shumë se para 3 vjetëve, ky president i Serbisë ka deklaruar se masakra e Reçakut ishte fabrikim dhe falsifikim. Ata të cilët mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij”, deklaroi Kurti.
Ndaj deklaratës mohuese të presidentit serb kishte reaguar edhe vetë ambasadori William Walker.
“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, kishte thënë Walker.
“Ai [Aleksandar Vuçiq] ka qenë i përfshirë që nga fillimi në përpjekjen për të mbrojtur të pambrojturën, e që është fakti se forcat e sigurisë së Serbisë nuk kanë qenë të përfshira në vetëm atë që ka ndodhur në Reçak, por kanë qenë të përfshira në shumë masakra dhe krime kundër njerëzimit”, kishte shtuar ai.
NË BRUKSEL, OHËR, DAVOS, … ALBIN KURTI TAKON MOHUESIN E MASAKRAVE NË KOSOVË
Kryeministri Kurti vetëm kur është brenda Kosovës kujton rolin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në luftën e fundit në Kosovë, por kur ai ndodhet jashtë vendit, nuk i përsëritë të njëjtat fjalë.
Por, përkundrazi, si në Uashington që është përkujdesur ta shfajësojë dhe amnistojë, në Bruksel, Kurti ndjekë linjën e njëjtë, duke e takuar e dialoguer pa asnjë kushtëzim.
Kurti, i cili si opozitar kërkonte që dialogu me Serbinë të kushtëzohej me kërkimfaljen e shtetit serb për krimet e kryera në Kosovë, si dhe me dorëzimin e kriminelëve të luftës, sapo është bërë kryeministër i Kosovës ka lënë në harresë “pakon e kushtëzimeve. /Demokracia.com/