Nga viti në vit po rritet shuma e mjeteve të shpenzuara nga shteti me kontrata njëburimore. Statistikat tregojnë se në vitin e kaluar, si asnjëherë tjetër në Republikën e Kosovës, dhjetëra miliona euro janë shpenzuar duke përdorur procedurat e negociuara në prokurim. Pak mbi 37 milionë euro është shuma që bën dallimin në mes të vitit 2022 dhe vitit 2023. Institucionet publike i janë turrur tenderëve njëburimorë edhe në këtë fillimvit, shkruan Demokracia.com.
Në Kosovë, kontratat në prokurimin publik mund të lidhen përmes disa procedurave. Procedura më e ndjeshme është ajo e negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë, përmes së cilës lidhen kontratat njëburimore. Në rastet kur përdoret kjo procedurë, institucionet nuk publikojnë njoftimin për kontratë dhe ftojnë operatorët ekonomikë të ofertojnë. Rrjedhimisht, kjo procedurë nuk është e hapur për operatorët e tjerë të interesuar të ofertojnë, duke kufizuar kështu konkurrencën e lirë në mes të operatorëve ekonomikë. Përdorimi i kësaj procedure është definuar në nenin 35 të Ligjit për Prokurimin Publik, në të cilin janë parashikuar rastet kur mund të përdoret kjo procedurë dhe shumë herë institucionet e shkelin parashikimin e nenit 35.
Këto procedura të prokurimit përdoren edhe për punët që dalin shtesë (aneks kontratat). Në këto raste kemi të bëjmë kur institucionet nuk i bëjnë llogaritë si duhet dhe në rastet e tjera përdoret duke u inicuar procedurë nga fillimi për një prokurim, si për furnizime, punë apo shërbime.
Statistikat tregojnë për një rritje të frikshme në tri vitet e fundit të këtyre procedurave. Komisioni i Prokurimit Publik (KRPP) akoma nuk e ka publikuar raportin vjetor, i cili tregon në shifra të sakta për përdorimin e kësaj procedure. Por, bazuar në të dhënat e E-prokurimit, tek tenderët që publikojnë institucionet publike, del se në vitit 2023 janë lidhur 1079 kontrata përmes procedurave të prokurimit publik.
Vlera e kontratave të lidhura sipas procedurës së negociuar, pa publikimin e njoftimit për kontratë, është 116,343,970.83 euro.
Nga 554 kontrata, kontrata për punë shtesë apo anekse janë lidhur gjithsej 218sosh. Ndërkaq, kontrata janë gjithsej 336.
Vlera e kontratave për punë shtesë apo anekse është 5,025,630.56 euro. Ndërkaq, e kontratave është 111,318,340.27 euro.
Krahasuar me vitin 2022, ku vlera e kontratave të nënshkruara ishte 78,569,183.51 euro, në vitin 2023 vlera e kontratave të nënshkruara, siç është cekur më lartë është 116,343,970.83euro apo 37.7 milionë euro më shumë. Bazuar në të dhënat e KRPP-së, në vitin 2021, vlera e kontratave njëburimore ka qenë 51,998,078.42 euro, shkruan Demokracia.com.
Si vjet, kjo procedurë është përdorur edhe parvjet më së shumti nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Komuna e Prishtinës.
Një rritje e frikshme e kontratave njëburimore është duke u përdorur edhe në këtë fillimvit. Kryesisht nga niveli qëndror për kontrata – shërbime që kanë të bëjnë me pastrimin e objekteve dhe shërbimet e sigurimit fizik, por edhe për kontrata – punë.
Kontratat e autoriteteve kontraktuese përmes procedurave të negocimit shpeshherë kanë rezultuar të jenë me kosto më të lartë për shërbime apo mallra të pranuara, sesa kontratat e hapura apo mundësitë që ofron tregu. Pastaj, ekziston dyshimi se ato i jepen personave të afërt me pushtetin.
Për të lidhur kontrata, autoritetet kontraktuese përdorin disa procedura që janë përcaktuar në Ligjin për Prokurimin Publik. Gjatë administrimit të cilësdo procedurë, institucionet duhet të sigurohen se janë përmbushur parimet bazë të prokurimit publik, siç janë:
Konkurrenca në mes të operatorëve ekonomikë (OE);
Efikasiteti dhe efektiviteti, mosdiskriminimi, objektiviteti;
Profesionalizmi dhe llogaridhënia.
Një nga procedurat më të ndjeshme në dhënien e tenderëve është procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë (procedura e negociuar ose kontrata njëburimore). Me këtë procedurë, autoritetet kontraktuese ftojnë një apo disa operatorë që të dorëzojnë oferta, ndërkohë tenderimi nuk është i hapur për kompanitë që nuk janë të ftuara. LPP mundëson përdorimin e kësaj procedure, në rastet e emergjencave ekstreme të cilat janë të përcaktuara në nenin 35 të LPP-së 1, ndonëse nuk definohet saktë se çfarë konsiderohet si emergjencë ekstreme, duke lënë hapësirë për interpretime të ndryshme nga ana institucioneve. Megjithatë, kjo dispozitë nuk mund të shfrytëzohet “nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues’’. Sipas ligjit, AK-të mund ta përdorin këtë procedurë edhe në situatat, ku për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, kontrata duhet t’i jepet një operatori ekonomik të caktuar. /Demokracia.com/