Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, qëndroi gjatë së hënës në shtabin qendror të bllokut shqiptar VLEN në Shkup, por ende nuk dihet nëse kreu nacionalist i opozitës maqedonase shkoi për të kërkuar mbështetje për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale apo për të siguruar një marrëveshje paraprake për qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, rrjeti televiziv “Klan Maqedonia” raportoi të hënën duke u thirrur në burime brenda takimit se është arritur një marrëveshje që koalicioni VLEN ta mbështesë kandidaten e VMRO-DMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që mbahen më 8 maj 2024, së bashku me raundin e ri të zgjedhjeve parlamentare.
Një nga liderët e VLEN-it, Arben Taravari, i cili në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale mori 9.21 për qind të votave, nuk e ka përjashtuar në asnjë moment mundësinë e bashkëpunimit me VMRO-DPMNE-në, ndërsa kjo e fundit parapëlqen të marrë në qeverisje VLEN-in para Frontit Evropian nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Kandidatja për presidente nga radhët e VMRO-së, Gordana Siljanovska-Davkova, para pak ditësh kërkoi krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet e pretenduara shqiptare në luftën e vitit 2001.
/Demokracia