Pas një periudhe të gjatë që nga nënshkrimi i marrëveshjes për një ligë të përbashkët të basketbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës, tanimë është mësuar se kur do fillojë garat ky kompeticion i njohur ndryshe edhe si “Liga Unike”.
Kryetari i Bordit të Ligës Unike, Ilir Trebicka ka njoftuar se kur do të fillojë garat ky kompeticion, dhe formatin në të cilin do të zhvillohet.
Garat e Ligës UNIKE startojnë me datën 6 prill, ku formati do të jetë si ai “Final 8” me sistem të eliminimit, përcjell KosovaPress.
Ndeshjet e para çerekfinale do të zhvillohen në Rahovec në datat 6 dhe 7 prill, kurse përballjet në gjysmëfinale, gara për vendin e tretë dhe finalja e Ligës UNIKE do të zhvillohen me datat 13 dhe 14 prill, në qytetin e Durrësit.
Sot do të hedhet shorti, ku do të mësohen çiftet e ndeshjeve të para, ndërsa për shkak të pandemisë Covid-19, ceremonia e shortit do të bëhet në ambientet e Ligës UNIKE.
Kryetari i Ligës UNIKE ka treguar se ky është një moment i madh bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Për mua, stafin e Ligës UNIKE dhe stafin e Federatave Nacionale është nder dhe privilegj i veçantë jetësimi i ligës së përbashkët Shqipëri-Kosovë. Uroj që kjo garë të ketë fillim të mbarë dhe të përçojë mesazh unifikues në të gjithë spektrin sportdashës në Shqipëri dhe Kosovë”, tha Ilir Trebicka.
Liga Unike në basketboll është i pari sport në mes të Shqipërisë dhe Kosovës që krijon një ligë të përbashkët të kësaj natyre. Kjo ligë ka për qëllim realizimin e idesë së kahmotshme për zhvillimin e aktiviteteve garuese të klubeve të të dyjave vendeve. /KP