Mediet në Beograd kanë njoftuar se shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov pritet ta vizitojë në Serbi me 7 qershor, ku në takimet me zyrtarët serb do diskutohet për çështje aktuale dhe krizën, situatën në rajon, sanksionet perëndimore por edhe sqarimi rreth pozicionit të Moskës ndaj Kosovës.
Vizita e Lavrov do të jetë rast edhe i sqarimit shtesë të pozicionit të Moskës ndaj Rusisë duke marr parasysh deklaratat e paradokohshme të presidentit rus Putin dhe përfaqësuesve të tjerë rus ku situata në Donbas krahasohet me Kosovën.
Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” komentoi vizitën e ministrit rus që pritet të bëj në Serbi.
Fillimisht, ai tha se marrëdhëniet Rusi-Serbi historikisht kanë qenë të mirë, duke theksuar se Beogradi është një aleat straegjik i Kremlinit.
“Është bërë e ditur prej ditësh se ministri i Jashtëm i Federatës së Rusisë, Sergei Lavrov, do të ijë për vizitë më 7 qershor në Beograd. Ai do të takohet dhe zhvillojë bisedime me presidentin Aleksandër Vuçiq, kryeministren, Ivica Daçiq e të tjerë liderë të Serbisë. Mendoj se një takim të posaçëm do ta zhvillojë edhe me ministrin më pro-rus të Serbisë, Aleksandër Vulin!
Presidenti rus, Putin, vetë Lavrov, por edhe personalitete të tjera të politikës dhe shërbimeve sekrete të Rusisë kanë bërë vizita të vazhdueshme në Serbi. Vetë Vuçiq dhe të tjerë politikanë serbë kanë shkuar me dhjetëra herë në Moskë. Kjo është një marrëdhënie e zakonshme midis të të dy vendeve. Serbia nuk e fsheh faktin se ajo vazhdon të jetë aleate strategjike e Kremlinit edhe pas luftës në Ukrainë të 24 shkurtit të këtij viti”, deklaroi profesori.
Krahas kësaj, Bytyçi vlerësoi se ajo çka e përbën të rrezikshme kjo marrëdhënie mes këtyre dy shteteve është se pas frikës së humbjes në Ukrainë, Putini mund ta synojë destabilizimin e Ballkanit.
Madje, ai përmendi edhe planet B dhe C të Rusisë, duke theksuar avantazhet e Serbisë nga raporti me shtetin e Putinit.
“Por ajo që e bën të rrezikshme marrëdhënien Serbi-Rusi lidhet me faktin se Moska në kushtet e trysnisë, sanksioneve dhe nën frikën e humbjes e të dështimit në Ukrainë kërkon të destabilizojë Evropën në rajone të tjera të saj. Ballkani është mundësia më e artë, që presidenti rus të destabilizojë edhe Europën. Dhe Ballkani mbetet fuqi baruti në Europë, sa kohë që Rusia përdor për planet e saj anti-europiane Serbinë, Republikën Srbska në BH dhe serbët në Ballkan!
Sergei Lavrov vjen në Beograd pikërisht me këtë mision. Në planet B e C të Rusisë bën pjesë destabilizimi i Ballkanit. Dhe historia na mëson se kjo realizohet përmes kobures ruse në rajonin tonë, Serbisë. A do t’ia arrijë ministrui i Jashtëm i Rusisë këtij qëllimi? Duhet analizuar situata. Ka avantazhe pro politikave ruse dhe dizavantazhe kundër tyre. Avantazhi më i madh është marrëveshja e së dielës së kaluar midis Putin dhe Vuçiq për furnizimin me gaz me çmime të leverdisshme të Serbisë nga ana e Rusisë. Avantazh tjetër i presionit rus për destabilizimin e rajonit tonë është fakti se Gazprom është motori i ekonomisë së Serbisë në këto momente e madje menaxhon edhe klubet sportive”, theksoi ai.
Në vazhdim, profesori nuk la pa përmendur edhe disavantazhet që shteti serb ka shakaku i përkrahjes së Rusisë dhe mos vendosjes së sanksioneve.
Ai beson se presidentit serb Vuçiq po i del situata nga duart dhe se po shqetësohet pas deklaratave të presidentit rus për Kosovën.
“Nga ana tjetër, edhe nëse e pranojmë se presidenti i Serbisë dëshiron të jetë neutral, nuk janë të tillë shumë udhëheqës serbë, si Daçiq, Vulin, Jeremiq e të tjerë! Shumica dërmuese e politikanëve serbë janë kundër përpjekjeve të presidentit Vuçiq për të qëndruar së paku jashtë konfliktit. Por atij po i del nga duart edhe Milorad Dodik në Bosnjë-Hercegovinë. Këto janë avantazhe të mëdha për Moskën, pa llogaritur praninë e shërbimeve ruse në Serbi!
Por ka edhe dizavantazhe. Serbia është e rrethuar me vende anëtare të NATO-s e të BE-së. Serbia dëshiron të integrohet në Bashkimin Europian. Teorikisht ka shpallur asnjanësi në çështjet e sigurisë! Presidenti serb, Vuçiq ka bërë shumë premtime se do të jetë partner besnik i SHBA-ve dhe BE-së! Beogradi është gjithashtu i shqetësuar për deklaratat e presidentit të Rusisë rreth Kosovës dhe mundësisë që ta njohë atë “për t’i dhënë legjitimitet aneksimit të Krimesë”!”, nënvizoi Bytyçi.
Megjithatë, profesori nuk beson se Serbia do ta ketë të lehtë ta destabilizojë rajonin, pasi do ta pësonte shumë keq dhe do ta sillte shtetin e tij në një pozitë të rëndë.
“Megjithatë nuk besoj se kjo është kaq e thjeshtë. Presidenti pro-rus i Osetisë së Jugut këto ditë ka anuluar një referendum popullor të rajonit të banuar me rusë, me të cilin do të duhej të pranohej bashkimi me Federatën Ruse! Nuk ka ndodhur kjo për arsye teknike, por gjeopolitike.
Kur një kukull e Kremlinit si president i një rajoni si Osetia e Jugut, merr guximin të anulojë referendumin e kërkuar nga Moska, ka diçka që nuk shkon. Në këtë pikëpamje mendoj se Serbia do të kalkulojë interesat e saj, do të llogaritë pasojat që vijnë nga destabilizimi i rajonit. Ndoshta mund të ishte ky akti i fundit i shpërbërjes së mëtejshme të shtetit të Serbisë. Sepse një përpjekje për konflikt e Beogradit do ta sjellë atë në pozitën e Rusisë së Putinit, i cili rëndomë krahasohet me Serbinë e Milosheviçit”, potencoi ai.
Në fund, Bytyçi vlerësoi se ministri rus vjen në Beograd vetëm për të bërë presion ndaj Evropës dhe NATO-s.
“Megjithatë Lavrov vjen për të bërë presion ndaj Evropës dhe NATO-s. Këtë favor ia bën atij politika pro-ruse e Beogradit. Edhe për këtë shkak pozita e Serbisë në kontinentin europian do të rëndohet. Më së paku mbi Europën do të rishfaqen imazhet e Serbisë së Milosheviçit. Madje Rusia e Jelcinit nuk bashkëpunoi me Milosheviçin sa Serbia e Vuçiqit bashkëpunon sot me Putinin”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.