Mesazhet e deputetëve të VV-së që dëshmojnë kurdisjen e konkurseve: Si u punësua në Ibër-Lepenc asamblisti nga Malisheva, i përfshirë deputeti Gani Krasniqi
Shpallja e një konkursi për Shef të Shërbimit për Burime Njerëzore në Ibër-Lepenc, kishte mobilizuar figura të larta të Vetëvendosjes për ta rehatuar një militant e asamblist të tyre.
Angazhimi kulmoi ditën e sotme kur asamblisti i pushtetit doli më i vlerësuari për t’u punësuar në ndërmarrjen e Faruk Mujkës.
Fjala është për Veton Zogajn, që është asamblist i Vetëvendosjes në komunën e Malishevës. Për ta siguruar këtë pozitë udhëheqëse në ndërmarrjen ku kryeshef është Faruk Mujka, Zogaj dërgoi intervenimet e para qysh në fillimin e muajit prill.
Kjo dëshmohet në disa biseda të cilat Nacionale i ka siguruar nga Kuvendi i Kosovës. Gazeta ka siguruar edhe vlerësimet e komisionit për këtë pozitë, pasi ato ende nuk janë bërë publike në faqen zyrtare.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës që u zhvillua më 4 prill, deputeti Gani Krasniqi mori një mesazh në rrjetin social “Whats App” nga kolegu i tij i partisë, Veton Zogaj. Megjithatë, diskutimi nuk ishte rreth partisë, por rreth konkursit të shpallur nga ndërmarrja Ibër-Lepenci.