Me miratimin e Projektligjit, shërbimi IVF do të ofrohet edhe në spitale publike

- in Shëndetësi

Qeveria e Kosovës e ka miratuar dje Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor, duke i hapur rrugë që ky projektligj të procedohet për aprovim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

Sipas MSH-së me këtë Projektligj rregullohet kujdesi shëndetësor, procedurat e fertilizimit të asistuar mjekësor, realizimi dhe këshillimi për këto procedura si e drejtë riprodhuese e individit kur nuk arrihet shtatzëni e dëshiruar me rrugë natyrore.

Në të ardhmen, qytetarët mund të kenë mundësi që këto shërbime të rëndësishme lidhur me shëndetin riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar -Fertilizimi in vitro (IVF) t’i marrin edhe në institucionet publike shëndetësore”, thuhet në njoftim.

MSH ka deklaruar tutje se rregullimi i kësaj fushe tashmë edhe me ligj, krijon mundësinë për organizimin, funksionimin, rolin dhe përgjegjësitë institucionale dhe profesionale, mbikëqyrjen, inspektimin për kujdesin shëndetësor të sigurt dhe cilësor që ofrohet në fushën e shëndetit riprodhues.

/GazetaSinjali/