Ndërtimi i disa rrugëve nacionale, asaj për Gjilanin, pastaj Dollc-Gjakovë apo Mitrovicë-Prishtinë ka vite që ka nisur. Atyre askund nuk po u shihet fundi. E vetmja rrugë që po vazhdon të ndërtohet me ritme të larta është ajo Prishtinë – Podujevë, shkruan Demokracia.com.
Pasi u shpall si operator i papërgjegjshëm në pjesëmarrje, Ministria e Infrastrukturës kishte eliminuar ofertën e kompanisë “Sallahu” për një lot në tenderin Prishtinë-Podujevë. E njëjta më pas i ishte drejtuar OSHP-së.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte refuzuar ankesën e operatorit ekonomik “Sallahu” ndaj “Vendimit për dhënie të një kontrate ose të një konkursi të projektimit, “Zgjerimi i rrugës Nacionale N25, Prishtinë-Besi–Podujevë, Loti 0,1,2,3 dhe strukturat Lot 5” me numër të prokurimit 205-23-21-5-1-1”, iniciuar nga Ministria e Infrastrukturës, pasi paneli shqyrtues i OSHP-së vlerësoi se lënia në fuqi e kontratës në fjalë është në interesin publik.
Duke mos u pajtuar në asnjë formë që nuk kishte arritur të merrte njërën nga kontratat e rrugës, kompania “Sallahu” ka bërë kallëzim penal në Prokurori, anise barrën e kishte marrë mbi vete OSHP-ja të ligjshmërisë ose jo.
Por, kush është kompania që me çdo kusht tentonte të merrte një kontratë në këtë rrugë, përkundër që sipas ministrisë nuk i plotësonte kriteret.
Kompania në fjalë është duke bërë ndërtimin e rrugës A në Komunën e Prishtinës, e cila kishte arritur që të lidhte kontratë të dyshimtë, pasi çështja ka kaluar edhe nëpër Gjykatën Komerciale. Megjithatë, rasti më eklatant në të cilën thuhet që është e përzier kompania ka të bëjë me një tender për të cilin kompania kishte bërë kallëzim penal, ndonëse nuk kishte arritur të fitonte një kontratë nga ministria.
Në një rast të ngjashëm, sikur në Podujevë, kompania Sallahu para disa viteve nuk kishte arritur të fitonte një kontratë për ndërtimin e rrugës “Prevallë-Prizren”. Andaj kishte bërë kallëzim penal në Prokurori. Më pas, kallëzimi penal i ishte kthyer bumerang, ngase prokuroria në vitin e kaluar ka ngritur aktakuzë edhe ndaj tyre nën dyshimet se kishte ofertuar me dokumente të falsifikuara. Bëhet fjalë për tenderin “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’ ndaj Lulzim Sallahut, Naim Sallahut dhe firmës “SA – Sallahu” SHPK, e cila përfaqësohet nga Lulzim Sallahu.
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale të vitit 2023, thuhet se kundër të akuzuarit Lulzim Sallahu është ngritur aktakuzë për veprat penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik’’.
“I pandehuri ‘’SA – Sallahu, Sh.p.k’’ (Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuara), në cilësinë e personit juridik, me pronar dhe aksionar 100 % L.S., akuzohet për veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, nga neni 415 paragrafi 1, lidhur me nenin 37 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale, shkruan Demokracia.com.
Përpos Lulzim Sallahut, aktakuzë është ngritur edhe ndaj të dyshuarit tjetër Naim Sallahu, i cili akuzohet për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumenteve’’, nga neni 390, paragrafi 1 të KRPK-së.
Pos kësaj aktakuze, dyshohet se kompania “Sallahu” kishte falsifikuar pasqyrat financiare të auditimit për vitin 2015, 2016 dhe 2017, në kohën sa kishte ofertuar në tenderin “Strukturat në zgjerimin e rrugës Nacionale N9, segmenti Dollëc-Gjakovë”. Edhe këtu nuk kishte arritur të fitonte tender nga MMPHI.
Ministria e Infrastrukturës kishte konstatuar se raporti i auditimit ishte i falsifikuar dhe kishte bërë kërkesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit – OSHP, që i njëjti operator të futej në listën e zezë dhe mos të merrte tender për një kohë të caktuar.
Bordi i OSHP-së kishte marrë lëndën në trajtim dhe kishte gjetur se pasqyrat financiare të raportit të audimit kanë qenë false dhe operatorin “Sallahu” e kishte futur në ‘listën e zezë’, duke e sanksionuar për një përiudhë kohore vetëm prej gjashtë muajve.
Gjykata e kishte dënuar për falsifikim
Në një rast tjetër, Gjykata Themelore në Prishtinë, në vitin 2021 e kishte dënuar pronarin e kompanisë “Sallahu” më gjashtë muaj burg, por ia kishte konvertuar në para. Rasti kishte të bënte me një tender po të Ministrisë së Infrastrukturës.
Për të njëjtin tender, edhe dy ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri, janë dënuar me nga 3 vite burgim efektiv për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Të njëjtëve u është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej dy vitesh, pas mbajtjes së dënimit me burg.
Sipas aktgjykimit të shpallur, Bekteshi dhe Tahiri, obligohen gjithashtu që Ministrisë së Infrastrukturës t’ia paguajnë 29,828 euro kompensim për dëmin e shkaktuar. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Xhelil Bekteshi në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare. Njëjtë thuhet se ka vepruar edhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në këtë ministri.
Në këtë rast, bashkë me Bekteshin e Tahirin është akuzuar edhe Naim Sallahu, por ai kishte bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, por që ky dënim i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.
Më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “falsifikim i dokumentit”.
Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Bekteshi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar. Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23.05.2016 në vend të datës reale 26.06.2016. Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991,418.19 euro, ndërsa operatori tjetër ekonomik, i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator, ishte eliminuar.
Tahiri akuzohej se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit. Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu”, edhe pse kishte çmim më të lartë.
Ndërsa, i pandehuri Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, ngarkohej me veprën penale “falsifikim të dokumentit”, pasi që i njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Sallahu e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore, ai e kishte paraqitur si të vërtetë. Sallahu thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë. /Demokracia.com/