Mbyllja e bastoreve i hapi rrugë lulëzimit të bizneseve në të zezë

- in Lajme

Edhe pse nga muaji maj i vitit 2019, bizneset e lojërave të fatit janë aktivitete të ndaluara me ligj, pronarët e tyre prapë se prapë kanë gjetur një mundësi që t’i hapin ato në formë online.

Vetëm gjatë periudhës janar-mars 2024, Policia e Kosovës për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm’’, ka zbuluar 12 raste. Ndërkaq, gjatë vitit 2023, janë zbuluar 42 faqe të paligjshme të bixhozit.

Ekspert i kibernetizmit, Mentor Hoxhaj thotë për KosovaPress, se Kosova momentalisht nuk ka kufijtë e saj digjital, kufij të cilët do t’i caktonin qartë politikat se çka mund të hy dhe të dal.

Hoxhaj ka paralajmëruar personat që po luajnë në faqe online se po rrezikojnë të dhënat dhe pasurinë monetare të tyre.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Bizneseve të Lojërave të Fatit, Istref Veliu në një përgjigje me shkrim ka theksuar se mbyllja e lojërave të fatit, ka sjellë humbje ekonomike dhe tani ato para po derdhën në buxhetin e Maqedonisë.

Sipas tij, nëse këto biznese legalizohen, do të zvogëlohet fenomeni i bizneseve të paligjshme dhe do të ndihmonte në mbushjen e buxhetit të shtetit.

“Fakti që tani buxhetit të shtetit i mungojnë dhjetëra miliona euro, të cilat shteti ka qenë duke i inkasuar, është një argument i fuqishëm. Paratë që dikur janë derdhur në buxhetin e Kosovës sot shkojnë në buxhetin e Maqedonisë. Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit ka qenë popullsitë dhe është përdorur nga partitë politike për të fituar një grusht vota. Ne kemi qenë biznese të legalizuara dhe kemi paguar tatim. Duke i legalizuar, zvogëlojmë fenomenin e bizneseve të paligjshme dhe ndihmojmë në mbushjen e buxhetit të shtetit. Vendimi i qeverisë për mbylljen e lojërave të fatit ka hapur rrugën për zhvillimin e bizneseve të paligjshme. Vlen të theksohet se me mbylljen e këtyre bizneseve janë shuar mijëra vende pune. Herët a vonë institucionet do ta kuptojnë se rruga e vetme për  ilegalitetin e lojërave të fatit është legalizimi i tyre dhe krijimi i një ligji të ri konform ligjeve dhe rregullave të BE-së”, ka theksuar Veliu në një përgjigje me shkrim.

E një qytetarë i cili dëshiron të mbetet anonim, ka rrëfyer se nuk është shumë i varur, pasi që jo gjithmonë fiton, por pas mbylljes ka vazhduar të luaj në formën online.

Sipas tij, duhen të legalizohen edhe në Kosovë, por në kushtet që i parasheh shteti, duke paguar taksat e shtetit, dhe si kusht kryesor të jetë edhe një moshë e caktuar dhe jo pranë instituteve shkollore.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit ishte marrë, pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, u vranë dy persona.

 

 

/Demokracia