Në orën 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – për largimin e katër kryetarëve shqiptarë që u zgjodhën në prill të vitit të kaluar, por ky proces mund të konsiderohet i dështuar për shkak të bojkotimit en masse të komunitetit serb në Kosovë.
Një numër i vogël i qytetarëve në komunat veriore shfrytëzoi të dielen të drejtën e votës për të votuar për ose kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, njoftoi më herët se deri në orën 15:00 në katër komunat veriore 203 persona morën pjesë në votimet për shkarkimin e kryetarëve komunalë.
Deri në orën 15:00, në Leposaviq votuan 122 qytetarë, në Zubin Potok 17, në Mitrovicë të Veriut 64, kurse në Zveçan nuk votoi asnjë qytetar. Në kulmin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, partia kryesore e serbëve të Kosovës vendosi që edhe njëherë t’u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri që të mos u përgjigjen proceseve demokratike në vend.
E në bazë të udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave, duhet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote që referendumi të ketë sukses. Megjithatë, ky kusht s’u përmbush. Pas kësaj, supozohej që rezultati t’i dërgohej presidentes së Kosovës e cila në një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditësh duhej t’i shpallte zgjedhjet e reja.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote për procesin e votimeve për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ishte 46 mijë e 556. Në Leposaviq ishin 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok ishin 6 mijë e 877 votues, në Zveçan ishin 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicë të Veriut ishin 18 mijë e 796 votues.
Në rast se në votimet e 21 prillit në pjesën veriore të territorit kosovar nuk marrin pjesë më shumë se gjysma e trupës elektorale në secilën komunë, atëherë iniciativa do të konsiderohet e dështuar. Për pasojë, kryetarët shqiptarë nuk do të mund të largohen me iniciativë qytetare për 12 muajt e ardhshëm – minimalisht deri në maj/qershor të vitit 2025.
Një ndër kushtet e Bashkimit Evropian (BE) për largimin e masave ndaj Kosovës të vendosura në qershor 2023 për shkak të përshkallëzimit të situatës në vend është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimi në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri, kurse nga serbët kërkohet që të marrin pjesë pa kushte./Demokracia