Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur që të mbesin në fuqi masat antiCOVID të cilat u vendosën për mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së virusit korona.
Vendimi për mbetjen e masave të njëjta në fuqi është marrë në takimin e sotëm që kishte kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Naser Ramadani
“Në takim me ministrin e Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, z. Naser Ramadani dhe me drejtorin e SHSKUK-së, z. Valbon Krasniqi, vendosëm që të mbesin në fuqi masat e njëjta anti Covid-19”, ka thënë Hoti.
Hoti ndër tjera tha se në fund të muajit mars pritet të arrij kontingjenti i parë prej 33 mijë doza të vaksinës COVAX dhe menjëherë do të filloj vaksinimi i qytetarëve.
“Institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota, furnizimi me barna është stabil, ndërsa deri në fund të muajit pritet të arrij kontingjenti i parë i prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX dhe menjëherë të filloj vaksinimi i qytetarëve. Nga qytetarët kërkuam që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat dhe të mirëmbajnë higjienën personale. Ndërsa institucionet përgjegjëse të shtojnë angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi”, tha Hoti.
Ndërkohë që vetëm 24 orët e fundit në Kosovë janë shënuar 8 raste të vdekjes dhe 632 raste pozitive me COVID-19./KosovaPress