Kompania serbe e energjisë elektrike Elektrosever deri me 1 korrik do të duhej t’ia dërgonte Bashkimit Evropian të gjitha të dhënat e konsumatorëve të energjisë elektrike në veri të Kosovës që më pas BE-ja t’ia përcillte Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës dhe KEDS-it, por diçka e tillë nuk ka ndodhur.
Pajtimi i arritur në Bruksel mes Kosovës e Serbisë për Udhërrëfyesin e Zbatimit të Energjisë Elektrike thoshte se vetëm shtatë ditë nga data e licencimit të kompanisë serbe nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Elektrosever do të duhej të kryente detyrimin.
Kompania u licencua me 24 qershor, por të pyetur nga Albanian Post, nga Bashkimi Evropian nuk kanë mundur të përgjigjen pozitivisht se kanë pranuar të dhënat, për t’ia pasuar palës kosovare.
Zyrtarja e shtypit për Politikë të Jashtme dhe Siguri nga BE, Paloma Hall Caballero, ka thënë vetëm se do të donin që palët t’u përmbahen afateve të nënshkruara në marrëveshje.
“Bashkimi Evropian rrjedhimisht pret që të dyja Palët t’i përmbahen hapave të pranuar dhe t’i zbatojnë ato përshtatshmërisht me kohën në mirëbesim. BE gjithashtu nxit të dyja Palët të bëjnë progres në të gjitha punët e tjera të pazgjidhura që i përkasin zbatimit”, thuhet në përgjigjen e Hall Caballeros për Albanian Post.
Se Elektrosever nuk i ka qëndruar marrëveshjes, për AP kanë treguar edhe nga KOSTT-i.
“Kompania Elektrosever nuk i ka siguruar ende KOSTT-it të dhënat siç parashihet në pikën e dytë në Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Por, jo vetëm ky afat dhe jo vetëm kjo pikë.
Një dyzinë marrëveshjes që pritej të nënshkruheshin në mes të Elektroseverit, KOSTT-it dhe KEDS-it nuk janë nënshkruar po ashtu.
Sipas pikës tre të marrëveshjes, “brenda 10 ditësh të pajisjes me licencë, Elektroseveri do të nënshkruajë marrëveshjen e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in në mënyrë që të operojë në tregun energjetik të Kosovës”.
“Gjithashtu nënshkrimin për strukturën e marrëveshjes për pranimin e rregullave të tregut të elektricitetit me KOSTT-in”.
Kjo pikë detyron edhe që brenda 10 ditësh të nënshkruhet “Marrëveshja e ndërlidhjes me KEDS-in, dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për të mundësuar shërbimin e distribuimit (faturimin, ,mbledhjen, mirëmbajtjen fizike të lidhjeve të konsumatorëve të rinj), në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të artikullit 5 të marrëveshjes së 2013-së”.
Asnjë nga këto marrëveshje nuk është nënshkruar përkundër se ka kaluar afati i pajtuar në Bruksel.
“Marrëveshjet në fjalë janë nënshkruar nga ana e KOSTT në përputhje, format dhe standarde te këtyre marrëveshjeve te aprovuara nga ZRRE dhe janë dërguar për nënshkrim tek Elektrosever në afatin e paraparë sipas Udhëzuesit, por ende nuk i kemi pranuar versionet e njëjta të nënshkruara nga kompania Elektrosever. Jemi ne pritje te konfirmimit nga furnizuesi Elektrosever”, tregojnë nga KOSTT-i për Albanian Post.
Nga BE nuk kanë pasur përgjigje për këtë pjesë të marrëveshjes që nuk po respektohet, vetëm se kanë njoftuar se po punohet për takim të nivelit të lartë.
“Kryenegociatorët gjithashtu kanë diskutuar çështje tjera që aktualisht janë në agjendën e Dialogut dhe hapat që nevojiten për të pasur takim të Nivelit të Lartë me dy liderët në periudhën në vijim”.
Çfarë ndodhë nëse vazhdohet me mos-respektim të afateve?
Sipas njoftimit në ditën e arritjes së marrëveshjes apo pajtimin për udhërrëfyesin për zbatim të marrëveshjes, nëse nuk respektohen afatet, apo “në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre konkluzioneve të rëna dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës së furnizimit, ZRRE mund të vendosë të pezullojë ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Eletrosever.
“Društvo Elektrosever D.O.O.” – kompania serbe që pritet të futet në Kosovë
Bëhet fjalë për kompaninë “Društvo Elektrosever D.O.O.”.
“Društvo Elektrosever D.O.O.” tashmë e regjistruar në Agjencionin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Pronare e vetme e kësaj kompanie është “JP Elektroprivreda Srbije Beograd”, kompania shtetërore e Energjisë Elektrike në Serbi.
Në faqen e vet zyrtare “Elektroprivreda Srbije” shkruan se është “një kompani e organizuar vertikalisht, e cila ka të drejta themeluese në dy filiale dhe tri ndërmarrje publike në Kosovë”. Me afër 29 mijë punëtorë “Elektroprivreda Srbije” është kompania më e madhe në Serbi, në të gjitha llojet e industrive.

Certifikata e kësaj kompanie e regjistruar në ARBK thotë se aktivitet primar kjo kompani ka “Tregtinë e energjisë elektrike” dhe vetëm si aktivitet sekondar është dhënë “riparimi i pajisjeve elektrike”.
Sipas ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe njeriut që i di çështjet e energjisë në Kosovë më mirë se kushdo tjetër, Fadil Ismajli, nuk ekziston një mekanizëm që ia ndalon kësaj kompanie veprimtarinë edhe në pjesë të tjera të vendit.
“Nuk jam i bindur a mundet dikush ta kufizojë mos të ofrojë energji edhe në Prishtinë edhe kudo tjetër”, thotë ai për Albanian Post.
“Kjo është me definicion, është furnizues”, shpjegon më tej Ismajli.
“Tregu i lirë çka është? Për me pas më shumë furnizues të cilët kanë me bo kompeticion në mes vete, me çmim, me shërbime, me kujdes ndaj konsumatorit e kështu me radhë”.
/Albanianpost.com