Kosova dhe Serbia mbrëmë (e mërkurë) kanë arritur të nënshkruajnë marrëveshje për targat në Bruksel.
Sipas kësaj marrëveshje, Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe në anën tjetër Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.
E pas arritjes së kësaj marrëveshje reagime të shumta ka pasur si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, disa po e cilësojnë si fitore për Kosovën e të tjerët janë skeptikë nëse kjo marrëveshje është në favor të Kosovës.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se kaq e pati “rezistenca e Albin Kurtit”, duke shtuar se nënshkruan marrëveshje që as ata vetë s’po mund ta mbrojnë.
“Prej #RKS drejt e n’targat KM. Kaq e pati “rezistenca e Albin Kurtit”. Sonte nënshkruan marrëveshje që as ata vetë s’po mund ta mbrojnë. Por më e rënda është që dakordimi i sotëm hap rrugën për dakordimet e reja. Krejt zhvillimet dhe tensionimet për targat u bën për t’ia hapur rrugën planit franko-gjerman ku nuk ka njohje e ka Asociacion”, ka shkruar Molliqaj.
Molliqaj ka theksuar se kjo është trajektorja e Albin Kurtit ku përmes imazhit të rezistencës, i pranon të gjitha marrëveshjet e dëmshme me Serbinë.
“Marrëveshjet që nuk e zgjidhin problemin, dhe na e lënë brenda konfliktin”, u shpreh Molliqaj.
Reagim ka pasur edhe nga analistë të ndryshëm dhe njohës të çështjeve politike.
Shqipe Pantina ka ironizuar me kryeministrin Kurti, duke thënë se ai “bënë kishe ai nuk lëshon pe, e mandej e dërgon Bislimin me nënshkrua”.
“Kryeministri e ka zgjedh një taktike interesante: shkon e negocion vet, pastaj bënë kishe ai nuk lëshon pe, dhe te nesërmen e dërgon Bislimin me nënshkrua. Kështu ja bon edhe me Zajednicën. Mandej del Presidentja e falënderon Amerikën. Jo adoleshent politikë, po fëmijë kopshti”, ka shkruar Pantina.
Edhe analisti Shkëlzen Gashi ka pyetur se përse regjimi i vjetër është gëzuar.
“Ky paska lëshu pe, po s’po e kuptoj pse ju të regjimit të vjetër qenkeni gëzu”, ka shkruar Gashi.