Marrëdhënia interesante e Vetëvendosjes me Milan Radojçiqin e Listës Serbe | Si e mbrojtën koordinimin me superkriminelin nga veriu Kurti, Haxhiu e Sveçla?

- in Lajme

Pasuria milionëshe e superkriminelit nga veriu i Kosovës, Milan Radojçiqit, është nën sekustrim të institucione të Republikës së Kosovës. Këtu përfshihet edhe vila e tij në bregun e Liqenit të Ujmanit, e ndërtuar pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje.

Menjëherë, Qeveria e Kosovës mori meritat për këtë vendim, që në fakt erdhi nga institucionet ligjzbatuese, Prokuroia Speciale e Republikës së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Por, nëse historia do të shkruhej vetëm duke u nisur nga java e fundit, nuk do të ishte aspak e plotë. Marrëdhënia mes Lëvizjes Vetëvendosjes dhe superkriminelit nga veriu, Milan Radojçiqit, është mjaft interesante.

Kushdo që e sheh historinë vetëm nga java e fundit, do t’i duket e pabesueshme beteja e ashpër e Qeverisë Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje për të mbrojtur koordinimin me superkriminelin Milan Radojçiq.

AFERA ZDRAVO

Një audioincizim i publikuar në muajin korrik të vitit 2023, në të cilin Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe koordinojnë aktivitetin politik në Kuvendin e Kosovës, përgënjeshtroi fuqishëm qëndrimet e forta të kryeministrit Albin Kurtit dhe të Vetëvendosjes kundër Listës Serbe.

Madje, në disa raste, vetë Kurti kishte mbajtur fjalime të zjarrta në Kuvendin e Kosovës, duke përmendur një emër specifik – Milan Radojçiq, që mbante postin zyrtar si nënkryetar i Listës Serbe, por që njihej edhe si bossi i krimit në veriun e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Derisa kryeministri Albin Kurti po e sulmonte nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur superkriminel i veriut, e caktuara prej tij si Shefe e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, nga prapaskena po e kryente detyrën e koordinimit me të njëjtin person, Milan Radojçiqin.

Koordinimi dhe kontaktet me një person të Listës së Zezë të ShBA-së për veprimtari kriminale, për të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës kishte lëshuar urdhërarrest, nuk përbënin kurrfarë pengese që në emër të kryeministrit Albin Kurti, shefja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, të koordinohej me kriminelin e veriut, Milan Radojçiqin dhe Listën Serbe.

Pikërisht shpërfaqja në publik e këtij koordinimi në prapaskenë rrënoi mitin dhe fjalët e mëdha të kryeministrit Kurti se ai në asnjë rrethanë nuk bashkëpunon me Listën Serbe, të cilën, si opozitar, e quante “parti çetnikësh” dhe “zgjatim i Beogradit”, por që pasi erdhi në pushtet, siç deklaroi pak ditë pasi u bë kryeministër, “unë nuk po i quaj më ashtu [parti çetnikësh]”.

Kjo situatë, bëri që kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij, Vetëvendosje, të mos distancohen nga koordinimi me Listën Serbe për tema të ndryshme në Kuvendin e Kosovës, madje edhe kundër kërkesave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo që bëri Kurti dhe ministrat e tij, Albulena Haxhiu e Xhelal Sveçla, që drejtojnë dikastere të rëndësishme për të luftuar krimin, dolën në mbrojtje të koordinimit me superkriminelin e veriut, personin e Listës së Zezë të ShBA-së dhe të kërkuarin me fletëarrest nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

12 KORRIK 2023 – KURTI: SHEFJA E GRUPIT TONË JO VEÇ BASHKËBISEDON, POR E KA PËR DETYRE TË PËRPIQET TË SIGUROJË VOTA

Në kundërshtim të plotë me fjalimet në Kuvend e deklarimet në sheshe e studio televizive, kryeministri Albin Kurti ishte shfaqur hapur në mbrojtje të koordinimit të partisë së tij, Vetëvendosjes me Listën Serbe dhe Milan Radojqçiq, duke lënë të kuptohet se gjithçka ishte bërë me lejen e tij.

“Shefja e grupit parlamentar dëgjohet disa sekonda e shumë minuta ka intepretime paraprake partizane në mënyrë që njerëzit të mos mendojnë njëjtë me atë që mendojnë e që qartazi është një icizim që është i gjymtuar i redaktuar dhe rrjedhimisht organet e drejtësisë të merren me të. Shefja grupit tonë jo vec që bashkëbisedon, por ajo e ka për detyrë të përpiqet që të sigurojë për vota”, deklaronte Kurti më 12 korrik 2023.

Kurti më herët kishte mbajtur një qëndrim të ashpër kundër Radojçiqit, të cilin e quante kryekriminel.

12 KORRIK 2023: MINISTRJA E DREJTËSISË, ALBULENA HAXHIU, MBËSHTET KOORDINIMIN E PARTISË ME NJË SUPERKRIMINEL

Nuk ka mjaftuar vetëm mbrojtja nga Kurti, por edhe të tjerë pas tij kanë ndjekur logjikën e njëjtë.

Edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në vend se të shqetësohet se grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje, koordinohet me një superkriminel, ajo mbështeti fuqishëm koordinimin e Kusarit në emër të Kurtit me superkriminelin e shpallur ‘non grata’ nga ShBA-ja, Milan Radojçiq.

15 KORRIK 2023: MINISTRI I BRENDSHËM, XHELAL SVEÇLA, MBËSHTET FUQISHËM KOORDINIMIN E KUSARI – LILËS ME LISTEN SERBE E MILAN RADOJÇIQIN

As Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili gjithashtu do të duhej të shqetësohej për bisedën telefonike të Kusari – Lilës me një kriminel të Listës së Zezë të ShBA-së dhe që kërkohet nga institucionet kosovare të drejtësisë, nuk kishte thënë asnjë fjalë të keqe, por u hodh në sulm mbi mediat që publikuan audio-dëshminë.

“Vuçiqi po e humb betejën në terren me Kurtin, prandaj edhe po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë”, shkroi Sveçla në Facebookun e tij.
Jo vetëm nga Qeveria, por shefja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, mori mbështeje në radhë nga bashkëpartiakët e saj, si Arbër Rexhaj e Dimal Basha.

PRESIDENTJA OSMANI MIRËPRITI FUTJEN E RADOJÇIQIT NË LISTËN E ZEZË TË SHBA-SË, POR HESHTI PËR KOORDINIMIN E LVV-SË ME TË

Koordinimi dhe kontaktet me një person të futur në Listën e Zezë të ShBA-së për veprimtari kriminale dhe për të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar urdhërarrest, nuk i kanë bërë aspak përshtypje Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit. Ajo nuk ka pasur asnjë reagim. /Demokracia.com/