Zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit kanë qenë goditja më e madhe në rrugëtimin politik të Fatmir Limajt. NISMA që kishte themeluar pas ndarjes nga PDK-ja, nuk kishte marr votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Me vetëm 2.253 % të votave në nivel të vendit Limaj s’kishte arritur që të kapërcente pragun.
Me këtë rezultat të dobët në zgjedhje nacionale, Limaj me partinë e tij ishte futur në zgjedhjet lokale, me të vetmen shpresë për mbijetesë politike, Malishevën.
Kjo është e vetmja Komunë në të cilën NISMA e Limajt ka shënuar fitore dhe e cila do ta mbajë brenda jetës politike kosovare NISMA-n e udhëhequr nga “Çeliku”.
Kandidati i kësaj partie, Ekrem Kastrati, ka arritur që të fitoj në raundin e dytë të zgjedhjeve, duke mposhtur Isni Kilajn e Partisë Demokratike të Kosovës. Kastrati ka marrë 10 mijë e 394 vota, derisa Kilaj i PDK-së ka marrë vetëm 9 mijë e 147 vota.
Fatmir Limaj e kishte themeluar partinë NISMA Socialdemokrate bashkë me Jakup Krasniqin, pas pakënaqësive që kishin brenda PDK-së e që atë botë e drejtonte Hashim Thaçi. Krasniqi aktualisht është duke u mbajtur në paraburgim në Hagë bashkë me ish-krerët e UÇK’së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin./GazetaExpress/