Maliqi rikujton rrenën e madhe të Mogherinit për vizat, ka një pyetje për Lajcak

- in Lajme

Analisti kosovar, Agon Maliqi, ka reaguar pas deklaratës së sotme të Miroslav Lajcak, se vizat po vijnë por që s’mund të japë datë për një gjë të tillë, shkruan Gazeta Metro.

Në një shkrim në Twitter, Maliqi ka risjell në kujtesë qëndrimin e ish-Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, kur kishte deklaruar para katër vitesh se me demarkimin e kufirit me Malin e Zi, Kosova po ecë drejt liberalizimit të vizave.

“A është Lajçak i vetëdijshëm se po ngjall shpresa në Kosovë se liberalizimi i vizave është afër dhe a është i vetëdijshëm për pasojat nëse kjo nuk ndodh? Vetëm një kujtesë shkakësore e herës së fundit që ndodhi katër vjet më parë”, ka shkruar Maliqi.

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në një intervistë për Euronews Albania deklaroi se anëtarët e BE-së besojnë se Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë.

Diplomati theksoi se nuk mund të thoshte një datë të saktë, por është i bindur se momenti i liberalizimit të vizave për Kosovën është shumë afër.

“Sërish, ka një mendim mjaft të palëkundur mes shteteve anëtare të BE-së që Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë. Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit. Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme europiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë”, u shpreh Lajçak.

Lajçak po ashtu tha se javën e ardhshme pritet marrëveshje me rëndësi sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. /gazetametro.net