Kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, në një postim në Facebook ka reaguar në lidhje me shkarkimin nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm Agjencisë së Emergjencave të Kosovës, dhe pjesëtarin e grupit të Komandantit Adem Jashari, Fadil Kodra.
Lushtaku ka thënë se askush nuk mund ta kishte parashikuar thellësinë e armiqësisë së kësaj qeverie të neveritshme ndaj UÇK-së.
“Duket që ka ardhë koha e proserbëve e nostalgjikëve të Jugosllavisë që të qeverisin me institucionet e Kosovës. Turpi ju mbuloftë!”, ka shkruar mes tjerash Lushtaku.
“Duket që kjo qeveri e turpit ka aq shumë antipati ndaj UÇK-së, sa askush nuk mund të imagjinonte se veprimet e saj do të bien deri në këtë nivel. Nuk ka turp më të madh sesa të shkarkohet nga pozita e Drejtorit të Agjencionit të Emergjencave, një njeri si Fadil Kodra, që gjithë jetën e ka vënë në shërbim të kombit”, shkruan tutje Lushtaku.