Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko, i cili njihet për sundimin e tij autokratik dhe shtypjen e opozitës bjelloruse thotë se në shumicën e takimeve me presidentin rus Vladimir Putin diskuton për Ballkanin dhe në veçanti për Serbinë.
Lukashenko këto komente i bëri gjatë një takimi në Minsk me presidentin e grupit të miqësisë me Bjellorusinë të Parlamentit serb, Dragomir Kariç.
“Më duhet t’ju them se unë flas për Ballkanin pothuajse në çdo takim me Presidentin Putin. Dhe kë kemi ne në Ballkan? Ashtu është, ne kemi Serbinë. Ajo ka qenë gjithmonë një bastion i sllavëve në Ballkan. Është ende”, citohet të ketë thënë Lukashenko.
“Ne flasim shumë shpesh për problemet me të cilat po përballeni. Jemi të përkushtuar për një bashkëpunim shumë të mirë”, shtoi presidenti i Bjellorusisë.
Gjatë takimit me Kariqin, Lukashenko deklaroi se presidenti serb, Aleksander Vuçiq, ishte në dijeni të dialogut të rregullt dhe vuri në dukje takimin Vuçiq-Putin në Soçi në nëntor.
Serbia e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, njihet për raporte të afërta dhe miqësore me Rusinë dhe Bjellorusinë, përfshirë edhe në fushën ushtarake dhe të sigurisë, me regjimet të cilat shtypin të drejtat e njeriut, lirinë e medias dhe opozitën në vendet e tyre.