Të premten zyrtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës e gazetarë njoftuan se Gjykata Speciale ia ka aprovuar lirimin e parakohshëm me kusht Hysni Gucatit. Lajmi nuk u konfirmua nga Specialja në Hagë, megjithatë sipas raportimeve ai mund të arrijë në Kosovë të mërkurën. Por, çfarë thotë Rregullorja e Procedurës dhe Provave e Gjykatës Speciale rreth lirimit me kusht?
Vendim publik nuk ka. Gjykata Specialja nuk ka bërë ndonjë konfirmim. Megjithatë, sipas deklaratave nga Organizata e Veteranëve të Luftës dhe zyrtarë të tjerë, Dhomat e Specializuara të Hagës ia kanë aprovuar kërkesën Hysni Gucatit për lirim të parakohshëm me kusht.
Në rregulloren për procedura e prova të Gjykatës Speciale, kapitulli 12 flet për vendimin për uljen e dënimit dhe kriteret që duhet të merren parasysh.
Kriteri kryesor është që i burgosuri ta ketë kaluar 2/3 të dënimit, që në rastin e Gucatit kjo është plotësuar. Kurse, kritere të tjera janë sjellja në Qendrën e Paraburgimit, rrethanat personale si gjendja shëndetësore, pesha e veprës penale dhe detaje të tjera.
“Në këtë rishikim, Kryetari merr në shqyrtim: (a) nëse sjellja e personit të burgosur gjatë kohës së burgimit tregon një shkëputje të vërtetë nga vepra penale që ka kryer; (b) nëse personi i burgosur ka treguar shenja rehabilitimi; (c) gjasat e rishoqërizimit dhe riintegrimit të suksesshëm të personit të burgosur; (d) peshën e veprës penale ose të veprave penale për të cilat është shpallur fajtor personi i dënuar; (e) trajtimin e të burgosurve të tjerë në rrethana të ngjashme; (f) nëse lirimi i personit të burgosur do të shkaktonte paqëndrueshmëri shoqërore të konsiderueshme; (g) çdo bashkëpunim thelbësor të personit të burgosur me Prokurorin e Specializuar; (h) ndihmën e dhënë vullnetarisht nga personi i burgosur për të mundësuar zbatimin e aktgjykimeve dhe urdhrave të Dhomave të Specializuara për çështje të tjera dhe veçanërisht dhënien e ndihmës për gjetjen e pasurive objekt i urdhrave për pagim gjobe, konfiskim ose zhdëmtim dhe që mund të përdoren në të mirë të viktimave; (i) çfarëdo veprimi të rëndësishëm të ndërmarrë nga i burgosuri në të mirë të viktimave, si dhe çfarëdo pasoje për viktimat dhe familjet e tyre si rezultat i uljes së dënimit; (j) rrethanat personale të personit të burgosur, ndër të cilat përkeqësimi i gjendjes fizike ose mendore apo mosha e thyer”, thuhet në Rregulloren për Procedura dhe Prova, raporton Nacionale.
Nëse kërkesa për lirim të parakohshëm refuzohet, atëherë kryetarja e Gjykatës Speciale s’trajton kërkesë të tillë për 3 vitet e ardhshme. Në rastin konkret, bazuar në raportime, nëse Nasim Haradinajt nuk i është aprovuar kërkesa, atëherë duhet të kalojnë tri vjet që një gjë e tillë të trajtohet sërish. Gjë që në fakt bëhet e pamundur, pasi deri atëherë Haradinaj potencialisht e përfundon komplet dënimin.
Por, cila është procedura që ndiqet në lirimin me kusht apo të parakohshëm?
“Për zbatimin e rregullës 196(3) dhe për çdo rishikim sipas rregullës 196(5), Kryetari mund të mbajë një seancë. 2Kryetari dëgjon personin e burgosur dhe mbrojtësin e tij të specializuar, Prokurorin e Specializuar, shtetin ku i burgosuri vuan dënimin, dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtësin e viktimave. 3Seanca mund të kryhet me anë të videokonferencës ose, në rrethana të veçanta dhe në varësi të Rregullores, në shtetin ku i burgosuri vuan dënimin, nga një gjykatës i autorizuar nga Kryetari”, thuhet në rregulloren e Speciales.